E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy policët me bandën e trafikut, 74 vjet burg grupit të “Maloku”

 

TIRANE – Trafikimi i klandestinëve dhe dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit do t’u kushtojë plot 74 vjet e 9 muaj burg, si dhe 58.3 milionë lekë gjobë të arrestuarve nga operacioni “Maloku”, në qershor të vitit 2007. Vendimi gjyqësor u shpall dje nga togat e zeza të Gjykatës për Krimet e Rënda, të cilat kishin në shqyrtim dosjen me 10 të pandehur, mes të cilëve edhe dy ish-punonjës policie. Në këtë vendim, gjykata shpalli fajtor dhe dha 11 vjet burg për të pandehurin Ergest Rabaj, 11 vjet e 3 muaj burg për të pandehurin Hodo Corro, 11 vjet e 6 muaj burg për të pandehurin Arben Sula. Për të pandehurit Krenar Boçi dhe Leonidha Caro, gjykata vendosi nga 5 vjet heqje lirie. Veç dënimeve me heqje lirie të sipërpërmendurit u gjobitën edhe me nga 8 milionë lekë. Për të pandehurit Kreshnik Gërbi, Ermal Kaçi, Lorenc Meçi dhe Eugen Gërxaj, gjykata vendosi nga 5 vjet heqje lirie dhe nga 6 milionë lekë gjobë. Akuzat që rëndonin mbi të pandehurit ishin ato të “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, “grupit të strukturuar kriminal”, si edhe “ushtrim të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” për dy ish policët Rabaj dhe Corro. Për të pandehurin Ermal Fidhi, gjykata vendosi dënimin e tij më 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë, i cili akuzohej për veprën penale të “korrupsionit pasiv”. Personat e dënuar dje u prangosën nga policia në qershor të vitit 2007 në kuadrin e operacionit “Maloku”. Duke iu referuar kërkesës për gjykim, të pandehurit e kësaj dosjeje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer në 8 raste veprën e “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”. Sipas Prokurorisë, grupi, pjesë e të cilit ishin edhe dy punonjës policie, ndihmonin persona të ndryshëm të kalonin kufirin grek kundrejt pagesës 1200 euro. Në kërkesën për gjykim thuhet se klandestinët siguroheshin nga Arben Sula, i cilësuar edhe si kreu i grupit. Ndërsa punonjësit e policisë të implikuar, mundësonin largimin e patrullave policore në vendin ku do të kalonin klandestinët.   ar.ba

Të pandehurit

Ergest Rabaj
Hodo Corro     
Arben Sula     
Krenar Boçi
Leonidha Caro
Kreshnik Gërbi
Ermal Kaçi      
Lorenc Meçi     
Eugen  Garxenaj
Ermal Fidhi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›