E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy muaj nën dëborë pa ushqim në -30 gradë

Një suedez është nxjerrë i gjallë nga makina e mbuluar nga bora ku kishte mbijetuar për dy muaj në temperatura nën zero.

Peter Skyllberg, 44 vjeç, kishte ngrënë vetëm borë që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar kur makina e tij u mbulua nga një ortek në Umea, në veri të Suedisë.

Fotografitë e makinës tregojnë kroskotin e mbuluar nga akulli, ndërsa temperaturat kishin arritur në -30 gradë C.

Ekspertët mendojnë se ai mund të ketë hyrë në një gjendje letargjie, e cila e ka ngadalësuar metabolizmin  e tij, duke e bërë të mbijetonte për dy muaj me radhë.

Një kalimtar e zbuloi atë të premten e kaluar, ndërsa pas mbërritjes në spital dolën të tjera detaje që mendohet se kanë lidhje me ngjarjen.

Mjekët dyshojnë se ai mund të jetë përpjekur ti japë fund jetës për shkak të depresionit dhe borxheve në të cilat ndodhej.

Hetimet e policisë nxorën se ndaj tij kishte një vendim gjykate për shkak të borxheve që arrinin në 150 mijë paund.

Fqinjët e tij në Orebro thanë se ai ishte ndarë me të dashurën dhe nuk kontaktonte me familjen e tij prej 20 vjetësh, ndërsa policia pret që shëndeti i tij të përmirësohet, për të zbuluar më shumë në lidhje me ngjarjen.

Skyllberg mbijetoi duke ngrënë borë nga pjesa e sipërme e makinës, ndërsa pranë tij u gjetën cigare dhe libra komikë.

E gjetëm në frymën e fundit, nuk lëvizte, nuk mund të fliste. E vetmja gjë që mundi të thoshte ishte borë, ngrënë dhe dhjetor. Ai ishte mbështjellë me një mbulesë që e kishte pasur në makinë, ndërsa pranë kishte disa amballazhe ushqimi dhe pijesh, të cilat mund ti ketë konsumuar gjatë ditëve të para. Makina nuk kishte asnjë pikë karburant për shkak të konsumit për nxehtësi, tha policia.  / Përgatiti: Gazmira Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›