E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy muaj nga zhdukja e Bleonës, asnjë gjurmë

Kukës

Dy muaj nga zhdukja misterioze e 6-vjeçares Bleona Mata nga fshati Zapod, policia ende nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e saj. Kërkimet e policisë kanë vazhduar pa ndërprerje, por pa mundur të hedhin dritë mbi fatin e vogëlushes. Për tri javë qindra efektivë të Policisë se Qarkut të Kukësit, si dhe të rajonit të Prizrenit kërkuan në bjeshkët e zonës, pasi fillimisht dyshohej që vajza e mitur të ishte sulmuar nga kafshët e egra. Më pas kërkimet vijuan me intensitet në pistën e rrëmbimit të personit, për të cilën u morën në pyetje rreth 40 persona. Familjarët ditët e fundit kanë këmbëngulur në pistën e rrëmbimit të personit dhe se bashkëpunëtor mund të jenë edhe bashkëfshatarë të tyre. Bleona u zhduk pasditen e së shtunës, më 22 maj, rreth 2 km larg shtëpisë. Disa orë pas humbjes familjarët njoftuan edhe Policinë e Shtetit. Pas kërkimesh të shumta kjo e fundit njoftoi se do të shpërblente me 3 milionë lekë këdo që jepte informacion për vajzën e vogël, por deri tani asgjë konkrete nuk është arritur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›