E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama të bëjë analizat e gjakut dhe të flokëve

Reagon Dritan Prifti. Sërish akuza ndaj kreut të PS-së për përdorim droge

Akuzat e Partisë Socialiste ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, janë konsideruar si shpifje nga ky i fundit. Në një konferencë për shtyp dje, ai ka hedhur poshtë të gjitha të dhënat e publikuara në adresë të tij, nga përfaqësues të selisë rozë, apo organi i saj zyrtar, duke bërë të ditur me këtë rast se ndaj akuzave të PS-së do të ketë padi penale. “është thjesht shpifja e radhës, shpifje për të cilën unë sot kam autorizuar avokatin tim, që të mbledhë dhe të gjitha shpifjet e ditëve të fundit të “Zërit të Popullit” dhe të përfaqësuesve të PS-së, të bëjë kallëzim penal për shpifje në institucionet e shtetit ligjor. E shfrytëzoj momentin për ta ftuar ILDKP të bëjë një hetim sa më të shpejtë, sa më të plotë dhe sa më të thelluar të pasurisë sime, të të gjitha viteve të shkuara”, deklaroi ministri i Ekonomisë. Por ballafaqimi në rrugë institucionale mes tij dhe selisë rozë, që e ka shënjuar atë si shënjestër të sulmit politik, nuk ka lënë jashtë përdorimit presionin mediatik dhe replikën e fortë. Kështu Prifti u është rikthyer akuzave personale ndaj kreut të PS-së, Edi Rama, ndaj të cilit ripërsëriti në cilësinë e dëshmitarit okular, denoncimin për përdorim të lëndëve narkotike. Madje në këtë drejtim, ministri i Ekonomisë ka kërkuar verifikim mjekësor duke ftuar Ramën në kryerjen e analizave. Një “Jo” shkencore ndaj akuzave të kësaj natyre do të sillnin sipas fjalëve të ministrit një dorëheqje të tij nga jeta politike. “A jemi ne si shqiptarë të gatshëm të mandatojmë në krye të pushtetit një njeri, i cili merr drogë? Le të dalë dhe të bëjë publikisht analizat e gjakut dhe analizat e flokut, të cilat tregojnë nëse ai ka qenë përdorues lëndësh narkotike dhe nëse ai vazhdon të jetë përdorues lëndësh narkotike. Le të zgjedhë ai një klinikë, shqiptare apo të huaj, të pavarur, që t’i bëjë publikisht analizat dhe të ketë detyrimin përpara shqiptarëve që të thotë të vërtetën, është Edi Rama i droguar apo jo?! N.q.s analizat publike, transparente dhe në një institucion të pavarur, do ta nxjerrin atë jo përdorues lëndësh narkotike, unë atë ditë jap dorëheqjen dhe dorëzoj mandatin tim të deputetit dhe nuk merrem më me politikë, shkoj shoh punën dhe hallet e mia”, tha Prifti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›