Dy në pranga, kërkoheshin për drogë nga SHBA
SHKODER - Dy vëllezër u arrestuan dje në Shkodër, pasi kërkoheshin nga agjentët federalë amerikanë. Fatbardh dhe Vermjon Shtiza, 37 dhe 30 vjeç u ndaluan për llogari të SHBA-së, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Aksioni për arrestimin e tyre u krye nga agjentët antidrogë të Policisë së Tiranës dhe të Shkodrës mesditën e djeshme. Sipas burimeve të policisë, në banesën e vëllezërve Shtiza u krye kontroll, por pa u gjetur asgjë e dyshimtë. Ata u shoqëruan në policinë e Shkodrës, ku iu komunikua arrestimi me qëllim ekstradimi në SHBA, duke u përcjellë më pas drejt policisë së Tiranës. Mësohet se ndaj tyre ishte firmosur arresti nga Gjykata e Nju Xhersit në SHBA. Prej 8 vitesh, dy vëllezërit kanë jetuar në SHBA, ku 7 vite vetëm në Nju Xhersi, ku dyshohet se kanë kryer dhe aktivitetin për të cilin akuzohen. Disa muaj më parë ata janë kthyer në vendlindje, në Shkodër, ku menaxhonin një lokal lojërash fati. Për policinë e Shkodrës, të dy vëllezërit nuk njiheshin si problematikë, derisa ditët e fundit ka mbërritur kërkesa e FBI_së për arrestimin e tyre. r.d