E Diel, 1 Nëntor 2026

"I tmerrshmi i Dibrës" në gjykatë: Jam i pafajshëm

 

BURREL/ HASAN PASHA

Luftar Reçi, i akuzuari për vrasje, trafik narkotikësh, vjedhje etj. Nuk ka pranuar të mbrohet me avokat. I cilësuar si "i tmerrshmi i Dibrës", Reçi ka pohuar dje, në seancën e parë në ngarkim të tij, se ishte i pafajshëm.  Ai u prangos nga policia e Burrelit më 10 maj 2007, dy vjet pasi kishte kryer vrasjen e Maksim Lalës, madje kufomën e tij e ka djegur për të mbuluar gjurmët e krimit. Pas rreth 2 vite hetimi, organi i akuzës ka dorëzuar dje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat dosjen për veprat penale të Reçit. Ditë më parë ai kishte kërkuar përjashtimin nga gjykimi i çështjes së tij të gjithë gjyqtarëve të Qarkut Dibër, ndërkohë gjatë seancës së djeshme ka ndërruar mendim dhe është shprehur dakord me trupin gjykues. Ndërkohë, i pyetur rreth paraqitjes së avokatit mbrojtës, Luftar Reçi, ka deklaruar se do të mbrohej vetë gjatë gjithë procesit në ngarkim të tij. "Nuk do të marr avokat mbrojtës. Jam në gjendje të mbrohem vetë. Nuk kam bërë krim dhe nuk kam pse marr avokat mbrojtës", është shprehur ai shkurt e prerë. Kërkesa e tij është marrë në konsideratë dhe kështu ka nisur gjyqi ndaj Reçit. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se precedentët penalë për të cilat është dënuar Luftar Reçi nisin që nga koha e komunizmit, kur ai u dënua me 5 vjet heqje lirie për "vjedhje të pasurisë socialiste". Më pas, në vitin 1992 për "vjedhje të pasurisë së tjetrit dhe rrahje" dhe vijojnë në vitin 2005 me vrasje, dëmtim të kufomës, zhdukje të personit, madje hidhen dyshime për organizimin e një rrjeti trafiku, që zhvillonte veprimtarinë e tij në Dibër e Tiranë. Arrestimi i tij i fundit erdhi, sipas Prokurorisë së Matit, pas përgjimeve të telefonatave, sigurimit të dëshmive nga 12 persona dhe hetimit të lëvizjeve të autorit të dyshuar për krime. Po sipas organit të akuzës, të gjitha këto janë realizuar nga 10 maj 2005, kohë kur Luftar Reçi dyshohet se vrau e dogji ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Maksim Lala, deri më 10 maj 2007 kur është vënë në pranga. Në pranverën e vitit 2005, ai ka eliminuar fizikisht Lalën dhe pastaj i ka vënë flakën. Kufoma e të ndjerit është gjetur dy ditë pas ngjarjes nga peshkatarë të Liqenit të Shkopetit. Për këtë ngjarje akuzohet dhe nipi i të arrestuarit, Taulant Elezi, i cili ndodhet aktualisht në burg për një tjetër akuzë. Sipas grupit hetimor, dy ditë pas eliminimit fizik, autorët kanë udhëtuar sërish në drejtim të Burrelit për të bërë djegien e kufomës. Deri tani dyshohet se vrasja e Lalës ndodhi për shkak të prishjeve të pazareve në çështje ilegale, por motivi i saktë pritet të zbardhet gjatë seancave të tjera në ngarkim të dy të pandehurve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›