E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhelozia, masakron gruan e më pas veten me thikë

 

ELBASAN - Masakron me thikën e bukës gruan e më pas tenton të vetëvritet, duke prerë damarët. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 09:00 në fshatin Katund i ri, në komunën e Bradasheshit. Sipas policisë, Mentor Osmani, 35 vjeç dhe Burbuqe Osmani, 30 vjeçe janë në gjendje të rëndë në spitalin e Elbasanit me disa plagë të rënda në trup nga një mjet i mprehtë, thikë. Mësohet se çifti ka nisur debatin që në mëngjes, ndërsa dyshohet se shkaku të jetë për motive xhelozie. Pasi kanë debatuar ashpër, burri rrëmbeu thikën e bukës, duke e goditur të shoqen në pjesë të ndryshme të trupit. Viktima ra pa ndjenja mes pellgut me gjak. I ndodhur përpara një situate të tillë, 35-vjeçari shkoi në dhomën tjetër të shtëpisë së tij, duke tentuar vetëvrasjen. Ai preu fillimisht damarët e më pas qëlloi veten me thikë në disa pjesë të trupit. Të afërmit i kanë gjetur pa ndjenja dhe i nisën me urgjencë në spital, por mjekët nuk japin shpresa jete, pasi ata kanë humbur shumë gjak. Policia ka nisur hetimet, ndërsa ndaj 35-vjeçarit Prokuroria ka nxjerrë urdhër-arrestin me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.                                                         a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›