S`shkon avokati, dështon "Banda e Durrësit"
TIRANE - Mungesa e avokatëve është bërë sërish dje shkak për shtyrjen e seancës së të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Durrësit". Në këtë mënyrë pyetja e të pandehurit Adriatik Coli ka mbetur sërish në gjendje "ngërçi" për togat e zeza të Krimeve të Rënda. Në seancën e djeshme, e cila shënonte të 49-ën në radhë në gjykimin e tyre, ka munguar Arben Qeleshi përfaqësuesi ligjor i të cilësuarit si kreu i bandës Lulzim Berisha. Qeleshi kishte paraqitur një deklaratë përpara gjykatës, bashkangjitur me një raport mjekoligjor, ku e justifikonte mosardhjen e tij për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. E ndërsa mungesa është quajtur e justifikuar nga kryesuesi i seancës, ajo nuk ka rezultuar aspak bindëse për palën e akuzës. "Është e treta herë që si argument për shtyrjen e seancës përdoret gjendja jo e mirë shëndetësore. Nuk paragjykoj mbrojtësit, por më këto më duken veprime të qëllimshme nga ana e tyre", pohoi para gjykatës njëri prej përfaqësuesve të akuzës. Në vijim ata përsëritën kërkesën e bërë në seancën e parafundit që gjykata të shikonte mundësinë e zhvillimit të seancave çdo ditë. Deklarimet e Prokurorisë, shkaktuan reagime jopozitive tek disa prej mbrojtësve, të cilët u shprehën keqardhje për dyshimet e Prokurorisë në ndërgjegjen e kolegëve të tyre. Gjykata u bëri me dije avokatëve që në rastet kur mungesat e tyre janë të justifikuara, të caktojnë zëvendësues në mbështetje të ligjeve përkatëse. Gjithashtu, trupa gjykuese pezulloi afatet e paraburgimit për të gjithë të pandehurit dhe vendosi, që seancat e ardhshme të fillojnë 30 më vonë, se orari i praktikuar deri tani. Të 17 anëtarët e "Bandës së Durrësit" akuzohen nga Prokuroria për një numër të madh veprash të rënda penale. ar.ba