Vidhet e digjet fabrika e tullave
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
Vidhet e më pas digjet fabrika e tullave në Lezhë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 05:00, kur policia u sinjalizua nga rojet e fabrikës së tullave "Milis" për objektin që ishte përfshirë nga flakët. Fillimisht u dyshua për një ngjarje aksidentale, por hetimet e klasifikuan më pas ngjarjen si të qëllimshme. Favorizuar edhe nga shiu i rrëmbyer, forcat e zjarrfikësve arritën të lokalizonin flakët e t'i shuanin ato shumë shpejt. Pasi ekspertët e policisë u futën në ambientet e fabrikës, drejtuesit e saj denoncuan zhdukjen në kasafortë të rreth 40 mijë eurove. Ky fakt vuri në lëvizje policinë, duke e klasifikuar këtë ngjarje si vjedhje e më pas zjarrvënie, me qëllim për të humbur gjurmët. Autorët, nisur dhe nga koha e keqe kanë punuar të qetë gjatë natës në ambientet e zyrave të administratës së fabrikës pa u pikasur nga rojet. Madje, ata kanë arritur të përdorin teknika të prerjes me korrent, të cilat shkaktojnë zhurmë të madhe. Pasi grabitën 40 mijë eurot, që ndodheshin në kasafortë, autorët i vunë flakën gjithë zyrave ku ndodhej dokumentacioni. Ata arritën të largoheshin, ndërsa rojet sinjalizuan policinë vetëm kur panë flakët. Pas shuarjes së zjarrit, ekspertët e policisë së Lezhës konstatuan se dera e jashtme e godinës ishte shqyer. Edhe kasaforta ku ndodhej sasia e parave në valutë ishte hapur me gur fresibël. Mësohet se zjarri është vënë qëllimisht në zyrat e financës, pasi është marrë një sasi e konsiderueshme parash nga kasaforta. Burime nga grupi hetimor thanë dje se nuk përjashtohej dyshimi që të ketë edhe persona të brendshëm në fabrikë, që të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Blutë kanë hedhur edhe dyshime tek banorët e zonës. Kjo për faktin se banorët përreth fabrikës vazhdimisht kanë protestuar ndaj punimeve që kryente fabrika. Por, në mbrëmje policia arriti të ndalonte dy autorët e dyshuar. Sipas policisë së Lezhës, Gjergj Ndokaj, 42 vjeç dhe Jak Pepaj, 47 vjeç janë dy personat që grabitën paratë në fabrikë. Ata nuk janë punëtorë të fabrikës, por u vunë në hetim si të dyshuar për ngjarjen. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, policia gjeti vetëm 3500 euro nga shuma totale, ndërsa nuk dihet pjesa tjetër. Kjo pritet të zbardhet pas marrjes në pyetje të të ndaluarve. Sipas policisë të dy ishin kontingjent të saj, për shkak të disa konflikteve në qytet.