Rrëfimi i hidhur i Hanit:Në Holandë s’më duan
JETMIR HALILAJ
Ari Han, trajneri i Kombëtares shqiptare ia atribuon të gjitha meritat vetes për rezultatet që ka arritur Shqipëria gjatë eliminatoreve të Botërorit 2010. Ai mburret pa ndrojtje, duke thënë se përfaqësuesja kuqezi, renditet aktualisht në vendin e 83-të, ndërkohë që para se të merrte ai drejtimin e ekipit, Shqipëria pozicionohej në vendin e 103-të. "Padyshim që nuk do të kishin asnjë shans që në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s të renditeshin në vendin e 83-të, nëse unë nuk do të kisha qenë trajner i tyre", ka thënë tekniku holandez për "voetbalprimeur".
Holanda
I pyetur, se si ka mundësi që një emër i madh si ai, madje me një eksperiencë të gjatë si trajner, nuk i është bërë asnjëherë ofertë për të drejtuar Kombëtaren e Holandës, Ari Han është përgjigjur: "Kjo ndodh sepse në Holandë, nuk më vlerësojnë si duhet. Ndoshta në të ardhmen mund të më vijë një ofertë nga Federata Holandeze e Futbollit, por nuk besoj se do të mund të pranonin që unë të bëhesha trajner i skuadrës Kombëtare. Kjo pasi aty ka disa klane që nuk më kanë shumë qejf".
Mburret
"Kudo ku kam punuar njerëzit më kanë dashur dhe më kanë vlerësuar - ka thënë Hani - Kudo ku unë kam punuar skuadrat kanë arritur rezultate shumë të mira. Nëse i referohemi së kaluarës, atëherë kjo kuptohet qartë. Anderlehtin e kam shpallur kampione të Belgjikës, me Standard Liezhin kam fituar Kupën dhe kam luajtur në Kupat e Evropës, me Kombëtaren e Kinës për pak sa nuk u kualifikuam në Botëror. Këto nuk janë rezultate të rastësishme, sepse duhet punë dhe vullnet për t'i realizuar", ka thënë tekniku. Ai i ka mëshuar edhe njëherë faktit se vlerësohet më tepër në vendet ku ka punuar se sa në vendlindjen e tij. Kudo ku kam punuar më respektojnë dhe më duan. Sa herë që dal në rrugë, apo ulem në ndonjë restorant, njerëzit më përshëndesin dhe kanë dëshirë të më flasin", ka thënë Han.