Leskaj: Qeveria të reflektojë për listat zgjedhore
Opozita kërkon vëmendjen e qeverisë për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore, në mënyrë të veçantë për kartat e identitetit dhe listat e zgjedhësve. Kryetarja e grupit kuvendor të PS-së, Valentina Leskaj, deklaroi dje se procesi i pajisjes me karta identiteti është në kaos. “Ndërkohë, çështja e kartave të identitetit mbetet proces kaotik, ku sot, asnjë qytetar, asnjë banor i Republikës së Shqipërisë nuk ka marrë asnjë kartë identiteti. Sot, me gjithë deklaratat, nuk kemi një plan të qartë për sa i përket shpërndarjes së kartave të identitetit dhe kjo rrezikon procesin”, - tha Leskaj. Më tej, ajo iu referua listave zgjedhore. Sipas saj, afati ka mbaruar që në datën 30 janar, duke kërkuar reflektimin e menjëhershëm të qeverisë. “Ajo që ne na shqetëson lidhur me procesin zgjedhor dhe që kemi diskutuar edhe sot në mbledhje grupi, ka të bëjë me çështjet e infrastrukturës, sidomos me çështjen e listave zgjedhore dhe kartave të identitetit. Për sa u takon listave zgjedhore, ka mbaruar afati më datë 30, ndërkohë Ministria e Brendshme, të cilën e ngarkon ligji, ende nuk ka çuar udhëzimin për qeverisjen vendore”, - tha Leskaj.