Familjet në nevojë, Berisha, kritika bashkiakëve
Qeveria krijon një program të ri social i cili do të ketë si objektiv ndihmesën për ato familje në nevoje te cilat kanë ngelur jashtë vemendjes së qeverisjes lokale. Kryeministri Sali Berisha urdhëroi dje ngritjen e një grupi ndërministror i cili do të nisë punën javën e ardhshme me qëllim verifikimin e familjeve me probleme të thella sociale dhe përfshirjen e tyre në një skeme të re ndihmës nga ana e shtetit, pasi sipas Berishës, skema e mëparshme rezulton e dështuar kryesisht për shkak të abuzimeve. Berisha hodhi kritika kundrejt pushtetit vendor duke e fajësuar për neglizhencë në evidentimin dhe dhënien e ndihmës për këto familje. Sipas Kryeministrit, Bashkia nuk ka dhënë ndihmë për këto familje, madje nuk di që ekzistojnë “shumë njerëz të cilët vuajnë nga varfëria ekstreme”. Berisha i ka kërkuar Ministrit të Financave të alokojë menjëherë një fond të posacëm për fillimin e punës nga ana e grupit ndëradministror dhe për ndihmesën e këtyre familjeve. Kryeministri u ndal dhe ne skemën e ndihmës sociale që jep qeveria, ku janë mbi 100 apo 150 milionë dollarë. Por, këto familje përjashtohen nga kjo skemë. “Çdo qeveri punon me skemë, por krahas kësaj skeme, janë edhe disa individë apo familje, të cilët, skema, për specifikat që ata kanë, i le në mjerim”, tha Kryeministri. Qeveria qendrore, theksoi Kryeministri, nuk mundet në asnjë rrethanë që të shenjojë secilën prej këtyre familje, por ata kanë qeveritë vendore dhe, jo vetëm ato, por edhe prefekturat, qarqet. Kryeministri u ndal edhe në çështjen e pallateve rezervë në qytetet kryesore të vendit. “Po t’u referohemi qyteteve, të paktën atyre kryesore, nëse do shkonit të interesoheshit se sa apartamente rezervë kanë për të ofruar qeverisjet vendore në raste fatkeqësish, kur dëmtohet një shtëpi, apo ajo prishet sepse e zë plani i rrugës, do konstatoni se nuk ka të tilla. Pra, të paktën bashkitë e mëdha, nëse do të kishin vullnetin dhe shpirtmirësinë, do të blinin 5 a 10 apartamente rezervë, jo në qendër të qytetit, por diku në periferi. Nuk mund të them se këto apartamente mund t’i blejë bashkia e Selenicës, bashkia e Fushë Arrësit apo e Krumës, por bashkitë e mëdha i kanë të gjitha mundësitë. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend që nuk ka asnjë strehë për t’u ofruar njerëzve në fatkeqësi”, tha Kryeministri.