E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99, Xhaçka: Shqipërinë po e qeveris klani "Berisha"

Olta Xhaçka

Tiranë, 3 Shkurt, 14:58, NOA - G99 ka ndjekur me shqetësim raportin e Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore që implikon në mënyrë të frikshme Jamarbër Malltezi, dhëndër i kryeministrit Sali Berisha, tha sot Olta Xhaçka, përfaqësuese e G99.

Sipas saj, sipas vërejtjeve të Panelit, Jamarbër Malltezi ka ndërhyrë në pothuaj çdo autoritet të lartë relevant të qeverisë, përfshirë dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ndërtimore, duke i instruktuar ata nëpërmjet pamjeve ajrore se cilat ai konsideronte "ndërtime të paligjshme në bregdet", në kundërshtim me politikat e bankës dhe objektivat e projektit të cilin ai koordinonte.

Fill pas këtij komunikimi, strukturat e shtetit shqiptar me në krye Policinë Ndërtimore u vunë në shërbim të interesave personale të kryeministrit dhe familjarëve të tij duke shkatërruar në mënyrë selektive jetët e punën 20-vjeçare të banorëve të Jalës, shtëpitë e të cilëve u shembën në 2007-ën në kundërshtim me politikat e Bankës për ndalimin e zhvendosjes së dhunshme, projektin e tij.

Ky veprim, kamufluar mjeshtërisht nëpërmjet fshehjes dhe manipulimit të dokumentacionit, sikurse cilëson dhe vetë raporti i bankës, tregon në mënyrën më të turpshme se si shteti shqiptar mund të shkatërrojë sot jetët dhe kontributin disa vjeçar të qytetarëve të tij, vetëm për interesa thellësisht të ngushta të Kryeministrit, të afërmve dhe familjarëve të tij.

Në po këtë mënyrë kriminale, nesër këta pushtetarë, me gjithë armatën e strukturave shtetërore, mund të vijnë fare mirë e të shkatërrojnë pasuritë dhe djersën e gjithë jetës së kujtdo qytetari shqiptar.

Shqipëria, për fatin tonë të keq, është shndërruar në një ngastër private të një klani të vogël kriminal, të lidhur direkt me Sali Berishën.  Ky i fundit, po na qeveris si me atributet e kryetarit të një fisi. Nëse nuk je sot pjesë e fisit Berisha, atëherë nuk gëzon më asnjë të drejtë. Nëse je pjesë e këtij fisi, nëse je vajza, djali, dhëndri i tij, atëherë po: mund të jetosh e të korrësh sukses.

Ndaj sot, G99 i bën thirrje prokurorisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për hetimin e skandalit të radhës të familjes kryeministrore për shkatërrimit e paligjshëm të banesave të dhjetëra banorëve të Jalës nën instruktimin e Jamarbër Malltezit.

Ky veprim kriminal është shembulli më famëkeq i politikave klienteliste dhe mospërfilljes së shtetit ligjor, ku një pakicë përfiton në kurriz të një shumice. Gjithashtu, G99 i bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të reflektojmë mirë e të vendosim bashkërisht që pas 144 ditëve të ndalim vrullin e këtij klani kriminal që ka privatizuar shtetin dhe po udhëheq duke pasur në plan të parë interesat e ngushta private në kurriz të interesave të përbashkëta publike.

c.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›