E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria 30 milionë euro për kartat e identitetit



Qeveria akordon 30 milionë euro për kartat e identitetit. Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Personalizimit të Letërnjoftimeve Biometrike dhe Pasaportave Elektronike, ku startoi procesin e prodhimit të letërnjoftimit të parë biometrik, që i korrespondon personit të parë që ka bërë aplikimin për marrjen e këtij dokumenti. Duke e cilësuar këtë si një ditë të veçantë, të cilën shqiptarët e presin prej 10 vitesh, Kryeministri Berisha tha se ky projekt ka përbërë prioritetin absolut të qeverisë shqiptare. Ky është një projekt me vlerë rreth 30 milionë euro,tha Kryeministri, por është më i rëndësishmi edhe nga pikpamja cilësore pasi është një projekt që pajis qytetarët shqiptarë me dokumentet më moderne të identitetit, duke vendosur një nga standardet më të mira të kontinentit për identifikimin e qytetarëve. Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se vlerat dhe rrjedhojat e vendosjes së këtij sistemi identifikimi janë të një rëndësie të jashtëzakonshme duke i vlerësuar ato si shtyllat e suksesit të procesit të modernizimit të këtij vendi. Duke shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur realizimin e këtij projekti, Kryeministri Berisha, vlerësoi se pajisja e qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet e reja dhe pasaportat biometrike është një moment i rëndësishëm që do të modernizojë në tërësi shërbimet në institucionet e tjera të vendit duke filluar nga pagimi i taksave e deri tek sigurimet shëndetësore.

Menaxheri i Përgjithshëm i Aleat Jean-Alain Joun shprehu kënaqësinë që brenda një kohe të shkurtër u arrit rikonstruksioni i ambienteve të ish-Topografisë Ushtarake, ku do të prodhohen Letërnjoftimet dhe Pasaportat e reja Biometrike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›