Të dyshuarit për trafik droge tentojnë të vrasin ish-policin
Një ish-agjent i antidrogës në policinë e Lezhës ka mbetur i plagosur rëndë pas një sulmi nga tre persona të maskuar, që mendohet se janë të dyshuar për trafik droge. Ngjarja e rëndë, e cila dyshohet se ka ardhur për shkak të detyrës së tij në radhët e policisë, ka ndodhur teksa Pjetër Gjoni ishte duke shkuar në vendin e punës. Persona me maska, të pajisur me shkopinj bejsbolli, i kanë zënë pritë te lulishtja pranë godinës së Telekomit, përballë Gjykatës së Lezhës, duke e goditur, me qëllim vrasjen e tij. Ai ka rënë pa ndjenja dhe duke menduar se e kishin vrarë, agresorët u larguan nga vendngjarja.
Burimet policore të Lezhës bënë të ditur se ngjarja është regjistruar rreth orës 20:20 të së enjtes. Ish-agjenti i antidrogës, i nxjerrë në reformë në vitin 2006 për shkak të shkurtimit të vendit të punës, sapo ishte nisur për të marrë detyrën e përgjegjësit për një shoqëri të ruajtjes dhe sigurisë fizike. Ai ka qenë duke shkuar për të kontrolluar policët privatë, kur sapo ka kaluar te lulishtja, persona të maskuar i kanë ardhur nga mbrapa, duke e qëlluar në kokë. Ish-punonjësi i policisë, Pjetër Gjoni, 48 vjeç, nuk ka mundur të kundërpërgjigjet pas goditjeve të marra, por ka vënë re se ata ishin me maska, të pajisur me leva dhe shkopinj bejsbolli. Nga dhuna e ushtruar ndaj tij, në ato momente ka humbur ndjenjat. Sipas të dhënave të policisë, agresorët kanë menduar se ish-agjenti ka vdekur dhe më pas janë larguar. Në ato momente, kolegu i tij që ka dëgjuar zhurmë, është afruar dhe kur ka parë të shtrirë 48-vjeçarin, me mjetin e SHRSF-së, e ka dërguar në spitalin rajonal të Lezhës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së Lezhës. Më pas, i plagosuri rëndë është transportuar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak, pasi jeta e tij ishte në rrezik. Ditën e djeshme, ai ka dalë jashtë rrezikut për jetën, por ende ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve.
Nga ana tjetër kanë nisur hetimet e policisë për këtë ngjarje të rëndë. Sipas të dhënave të para hetimore, rezulton se Gjoni nuk ka asnjë konflikt personal dhe as për shkak të detyrës që ka aktualisht. Por, ka dyshime të forta se sulmi ndaj tij ka ardhur për shkak të detyrës, kur ishte agjent në sektorin e antidrogës. Gjatë asaj kohe, falë punës së tij, Drejtoria e Policisë së Lezhës ka bërë disa goditje të forta të grupeve që merren me trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike. Madje, arrestime të tilla janë kryer edhe në ditët e fundit të karrierës. Për këtë arsye, policia po skedon nga e para personat që janë arrestuar falë punës së ish-kolegut të tyre për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje kriminale. Madje, nga të dhënat hetimore mësohet se disa prej të arrestuarve janë liruar nga burgu dhe gjithmonë specialistët që kanë luftuar kundër trafikut të drogës kanë qenë të ekspozuar përballë organizatorëve të këtyre rrjeteve kriminale. Burimet nga grupi hetimor në policinë e Lezhës bënë të ditur se janë shoqëruar disa të dyshuar dhe po punohet intensivisht për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Gjithashtu, për këtë rast të rëndë janë interesuar edhe krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që kanë kërkuar informacion për ecurinë e hetimeve.
#