Tre futbollistët shqiptarë,bamirësi për të burgosurit
Tre futbollistë shqiptarë, besimtarë myslimanë të devotshëm, Ilion Lika, Jahmir Hyka dhe Erald Deliallisi, kanë shpërndarë iftarë nëpër burgjet e vendet për të burgosurit agjërues. Bar-restorant “Hallall-Tirana”, që bashkëfinancoi me futbollistët, ishte lokali të cilit ata i besuan gatimin dhe paketimin e plot 1800 racioneve ushqim, që më pas u shpërnda nëpër të katër burgjet e Tiranës; atë 313, 302, 325 dhe Vaqarr, si dhe në burgun e Krujës, atë të Fushë-Krujës, burgun e Lezhës dhe paraburgimin e Durrësit. Dërgimi i ushqimeve në qeli për të burgosurit që agjërojnë është bërë dy ditë më parë, ditën në të cilën besohet së ishte nata e Kadrit, një natë kjo e zgjedhur dhe e veçantë për ndjekësit e fesë islame. Të kontaktuar nga gazeta “Panorama”, futbollistët pohuan se ushqyerja e agjëruesve është detyrë dhe një nga arsyet për të fituar mirësi nga Zoti. Tashmë, këta futbollistë e kanë bërë traditë që çdo muaj Ramazani të shpërndajnë iftare nëpër burgje, ku agjërojnë një numër i madh të burgosurish. Ushqimi që u shpërnda atje përmbante të gjitha llojet e gatimeve të një dite të zakonshme, në mënyrë që agjëruesve të mos u mungonte asgjë, ndërsa pohohet se tre futbollistët kanë paguar rreth tre mijë euro, teksa pjesën tjetër e ka financuar restorant “Hallall-Tirana”.