E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy peshkatarë mbyten në liqenin e Shkodrës

Malësi e Madhe I zuri një stuhi pasi kishin nisur peshkimin

Dy peshkatarë nga Hani i Hotit janë mbytur dje në mëngjes në liqenin e Shkodrës, ku kishin dalë për të gjuajtur. Gjovalin Smajli 40 vjeç dhe Nikolin Shabi 18 vjeç, që të dy banues në Han të Hotit, janë gjetur të mbytur dje, pasi familjarët kërkuan ndihmën e policisë. Informacioni për zhdukjen e dy peshkatarëve është dhënë nga familjarët e tyre në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe menjëherë është vënë në lëvizje policia e Shkodrës, që ka kërkuar edhe ndihmën e palombarëve nga Mali i Zi fqinj. Pas dy orë kërkimesh është bërë e mundur gjetja e dy trupave të pajetë në vendin e quajtur “Livadhi i Luke Smajlit”, rreth 50 metra larg bregut të liqenit. Sipas policisë, nga veprimet e para hetimore dhe nga deklarimet e të afërmve, rezultoi se dy peshkatarët kishin dalë për të gjuajtur me një varkë rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, dhe për shkak të një stuhie në liqen, varka e tyre është përmbysur dhe për pasojë dy peshkatarët nuk kanë mundur të dalin të gjallë për shkak të largësisë nga bregu. Pranë vendit ku u gjetën trupat është gjetur dhe varka e përmbysur, që për momentin është sekuestruar nga policia deri në përfundimin e plotë të hetimeve. Ky është rasti i dytë i mbytjes së peshkatarëve në liqenin e Shkodrës gjatë këtij viti. Në muajin shkurt, dy kushërinjtë Kujtim dhe Agim Kurti humbën jetën gjatë kohës që po peshkonin në brendësi të liqenit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›