E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy plumba për një karrocë me zhavorr

EKZEKUTIMI/ Abdulla Durra ka vrarë Agim Tahirin pas një konflikti për rrugicën e përbashkët të banesave të tyre

Burimet e policisë bëjnë të ditur se autori i krimit ka qenë edhe më parë i dënuar për vrasjen e një personi

SHKODËR - Pas rreth 14 orëve nga vrasja e ndodhur pasditen e së hënës në fshatin Barbullush të Shkodrës, një tjetër vrasje ka ndodhur në këtë rreth, në lagjen “Liria” të këtij qyteti, këtë radhë për një karrocë me zhavorr. Ekzekutuesi ishte dënuar edhe më parë për vrasje, ndërsa viktima, kryefamiljar i një familjeje mjaft të varfër, ka lënë pas në mëshirë të fatit të gjithë pasardhësit e tij. Policia ka mundur të vërë në pranga vetëm pak më pas autorin e krimit, ndërsa 53-vjeçari Agim Tahiri, ka gjetur vdekjen sapo ka mbërritur në spitalin e Shkodrës.

Ngjarja

Rreth orës 06:45, në afërsi të një pallati në ndërtim në lagjen “Liria”, në hyrje të qytetit të Shkodrës, në rrugicën ngjitur me një lokal të vogël, u qëllua me armë zjarri Agim Xhevat Tahiri, 53 vjeç. Autori i kësaj vrasjeje është Abdulla Durra, 50 vjeç, banor i së njëjtës lagje, i dënuar më parë po për vrasje. Ai ka qëlluar dy herë me pistoletë nga një distancë e afërt mbi 53-vjeçarin Tahiri, me të cilin kishte një konflikt që një ditë më parë. Konflikti mes fqinjëve mësohet se ka lindur për një karrocë me zhavor, e cila ishte hedhur në rrugicën ku ata jetojnë. Duke qenë se rrugica mbante ujë në gropat e saj, Tahiri kishte hedhur një ditë më parë një karrocë me zhavorr. Por kjo gjë është kundërshtuar nga fqinji i tij dhe, sipas dëshmive të grumbulluara, pas debatit ata janë larguar duke u sharë me njëri-tjetrin. Në mëngjesin e së martës, Abdulla Durra, i cili ka qenë i dënuar më parë për vrasje dhe kontigjent policie, ka dalë i armatosur tek dalja e rrugicës ku ndodhet një lokal i vogël dhe më tej një pallat në ndërtim. Aty ai ka pritur viktimën dhe e ka qëlluar në rrugë me pistoletë, duke i shkaktuar plagë të rënda, që i kanë marrë jetën sapo ka shkuar në spital.

Hetimi

Policia e mbërritur në vendngjarje ka mundur ta arrestojë autorin Abdulla Durra vetëm pak minuta më pas, së bashku me armën e krimit, duke vërtetuar kështu autorësinë e tij në ngjarje. I njohur edhe më parë si kontigjent, uniformat blu nuk kanë ngurruar që ta vënë në pranga, ndërsa marrja në pyetje e dëshmitarëve ka nxjerrë në pah motivet banale për të cilat është marrë jeta e 53-vjeçarit. Familja e viktimës është mjaft e varfër dhe i vetmi që punonte si roje ka qenë Tahiri, i vrarë në mëngjesin e së martës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›