E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Shkodër, për 500 mijë lekë borxh

HETIMI/ Policia ka vënë në pranga autorin e vrasjes së Bitanit, ndërsa ka zbuluar motivet e kryerjes së krimit

SHKODËR – Një shumë borxh prej 500 mijë lekësh mësohet të ketë qenë shkak për vrasjen e Ben Bitanit, ndërsa policia ka vënë në pranga autorin e krimit, Afrim Rraboshta. I arrestuar në një terren të pyllëzuar, në tentativë për t’u larguar, 37-vjeçari fillimisht e ka mohuar autorësinë e krimit, aq më tepër që me vete nuk i është gjetur arma e vrasjes. Por, pas shoqërimit në komisariatin e Shkodrës Rraboshta është përballur me provat e siguruara nga policia. Si rrjedhojë, mëngjesin e së martës, ai ka pranuar autorësinë e vrasjes së 45-vjeçarit Bitani. Sipas dëshmisë së tij dhënë para uniformave blu, ai dhe viktima, i cili banonte në Shkodër dhe punonte tek biznesi i një të afërmi të tij, kanë pasur konflikt mes tyre lidhur me një sasi parash, rreth 5 milionë lekë të vjetra, që Rraboshta ia kishte borxh viktimës Bitani. Pikërisht për këtë sasi parash ata janë takuar në lokalin e të afërmve të Bitanit në Barbullush, ku dhe më pas kanë dalë për të hipur të dy në automjetin e 37-vjeçarit me targa SH 3577 E. Sipas deklarimeve të Afrim Rraboshtës në polici, debatet kanë vazhduar dhe Bitani e ka fyer, ndërsa ky ka nxjerrë pistoletën që e mbante me vete dhe nga sedilja e pasagjerit e ka qëlluar drejtuesin e mjetit, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. 37-vjeçari u vu në pranga mbrëmjen e së hënës, rreth pesë orë pas kryerjes së krimit. Për vrasjen policia mësohet të jetë njoftuar nga vëllai i vrasësit, i cili ishte telefonuar nga ky i fundit pas ngjarjes së ndodhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›