E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, dosjet e bujshme shkojnë në gjykatë

HETIMET/ Prokuroria ka bërë të ditur se ka mundur të mbyllë dosje të ngjarjeve të ndodhura në vitet 1997-1999

GJIROKASTËR- Vrasje, vjedhje me armë, shpërdorim detyre janë disa nga akuzat e ngritura për personat që ndodhen të regjistruara në shtatë dosjet që prokuroria i ka bërë tashmë gati për t’i çuar për gjykim. Kryeprokurori i Gjirokastrës, Alfred Saliu, përpara mediave ka deklaruar se është arritur përfundimi i hetimeve paraprake për një sërë çështjesh penale, një pjesë e të cilave të ndodhura në vitet 1997-1999. Autorët e tyre janë zbuluar shumë vite pas ngjarjes, megjithatë gjetja e autorëve e ka ndihmuar organin e akuzës që të mund të lidhë provat me njëra-tjetrën për të arritur edhe dokumentimin e plotë të tyre.

Dosjet

Alfred Saliu, kreu i organit të akuzës në Gjirokastër, u shpreh se tre prej procedimeve penale janë për akuzat e vjedhjeve me armë, prej të cilave njëra me pasojë vdekjen, 2 procedime për akuzën e “vjedhjes”, ndërsa 2 dosje të tjera mbartin si vepër penale “shpërdorim detyre”.“Ka përfunduar procedimi penal në ngarkim të të pandehurve Bilal Mehmeti e Ardian Soko (Bushpepa) për veprën penale “vjedhje me armë, me pasojë vdekjen”, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 1997 në Muzinë, ku humbi jetën shtetësja Eleni Koka. Ka përfunduar procedimi penal mbi të pandehurit Refat dhe Adriatik Kanushi, për veprën penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim”, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Është mbyllur procedimi për të pandehurit Rrapo Muçaj e Deli Skëndi” për veprën penale të “vjedhjes me armë”, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në qytetin e Këlcyrës. Është mbyllur hetimi paraprak për procedimin penal mbi të pandehurin Odise Qirjazi për veprën penale “vrasje me dashje”, ngjarje e ndodhur në Finiq, si dhe procedimi për të pandehurin Halil Roshi, mbi të cilin rëndon akuza “vrasje me dashje”, ngjarje e ndodhur në vitin 2008 në fshatin Valare”, u shpreh kryeprokurori. Ndërkohë, po sipas të njëjtave burime, kanë përfunduar edhe hetimet dhe dosjet janë tashmë në gjykatë për 6 ish-zyrtarë të komisionit të kthimit të pronave dhe zyrës së përmbarimit, për akuzën “shpërdorim detyre” dhe këta të fundit ndiqen në gjendje të lirë. Bëhet e ditur se zyrtarët janë të pezulluar nga detyra deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tyre.

Hetimet

Lidhur me shembjen e pallatit 5-katësh në lagjen “11 Janari” rreth një muaj më parë, kryeprokurori Saliu ka deklaruar se hetimet vijojnë me intensitet të plotë. “Për shkak të karakterit sekret që mbart kjo çështje, nuk mund të thuhet asgjë më tej”,- është shprehur ai, ndërsa mësohet se hetimet janë shtrirë në dy pista, në atë të mënyrës së dhënies së lejes së ndërtimit, si dhe rreth shoqërisë ndërtuese “Arti shpk”. Ndërkaq banorët e këtij pallati vazhdojnë të vuajnë mungesën e gjërave elementare për jetën e tyre.

Vrasja e Eleni Kokës, 29 mars 1997

Rreth orës 11:30 të 29 marsit 1997, Bilal Mehmeti e Ardian Soko, të pozicionuar në Kthesën e Muzinës, i kanë dalë përpara të armatosur shtetasit Stefan Koka nga Delvina, i cili udhëtonte së bashku me gruan e tij dhe tre të afërm që i kishte sjellë nga Greqia. Pasi i kanë bërë shenjë automjetit tip “Benz-Mercedes” me targa të Delvinës 0893 A, dy grabitësit kanë kërkuar nga drejtuesi i makinës çelësat nën kërcënimin e armëve. Në këtë moment e shoqja e shoferit, Eleni Koka, i ka rrëmbyer çelësat të shoqit dhe nuk ka lejuar që keqbërësit të rrëmbenin automjetin. Të befasuar nga reagimi i 35-vjeçares, Mehmeti ka qëlluar me pistoletë në drejtim të gruas, duke e lënë atë në vend të vdekur.

Polici kryen vjedhje më 20 shkurt 1999

Refat Kanushi, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, në rrugën nacionale Gjirokastër - Ballsh në afërsi të fshatit Vasjar të rrethit Tepelenë, rreth orës 01:00, të mëngjesit, i kanë dalë përpara me maska dhe me armë një automjeti tip furgon nga qyteti i Përmetit, ku udhëtonin 3 shtetas nga Përmeti për në Tiranë. Por, përveç vjedhjes së një shume të konsiderueshme të hollash, nën kërcënimin e armëve tri grabitësit kanë ushtruar dhunë dhe i kanë torturuar udhëtarët për rreth katër orë me radhë, deri në zbardhjen e ditës, kohë në të cilën i kanë lënë më tej të lirë. Janë dashur plot nëntë vjet për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›