Katër në pranga për 3.7 kg marijuanë
Kapen me 3.7 kilogramë kanabis, pranga katër elbasanasve. Burime zyrtare të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se nga seksioni i luftës kundër narkotikëve, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Filtër”, ku u bë e mundur arrestimi në flagrancë i V. Peqini 24 vjeç, K. Mecka 23 vjeç, G. Paja 24 vjeç dhe L. Paja 29 vjeç, të katërt banues në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit. I njëjti burim saktëson se fillimisht është prangosur 24-vjeçari G. Paja, i cili ka çuar në kapjen e tre bashkëpunëtorëve të tij. Sasia e lëndës narkotike është 3.7 kilogramë. Në lidhje me këtë ngjarje po punohet për dokumentimin e plotë të saj. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
#