E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy poliklinika rindërtohen nga Kooperacioni Italian



Brenda janarit të vitit të ardhshëm, poliklinikat Tirana 2 dhe Tirana 3 do të rehabilitohen falë kontributit të Kooperacionit Italian për Zhvillim.

Punimet, të cilat i janë besuar kompanisë italiane DEC s.r.l., do të çelen nesër gjatë një ceremonie në poliklinikën Tirana 2, ku do të jenë të pranishëm zv. ministrja e Shëndetësisë, Zamira Sinoimeri, ambasadori italian në Shqipëri, Saba d’Elia, bëhet e ditur në një njoftim të zyrë së shtypit pranë MSH-së.

Kjo ndërhyrje është pjesë e një programi me vlerë 5.190.000 euro, i cili parashikon rindërtimin e 5 poliklinikave, mes të cilave edhe ato të Gjirokastrës, Korçës dhe Peshkopisë.

Iniciativa synon të kontribuojë për përmirësimin e gjendjes shëndetësore te popullsisë, ashtu si dhe për reduktimin e kostove të menaxhimit të sistemit shëndetësor, përmes forcimit të kapaciteteve, eficencës dhe funksionalitetit të strukturave shqiptare.

Ndër të tjera, është parashikuar jo vetëm rehabilitimi infrastrukturor i godinave, por edhe furnizimi me instrumente bio-mjekësore, që bën të mundur një kapacitet diagnostikues më të mirë e më të besueshëm. Financimi italian mbulon kështu kostot e asistencës teknike për të siguruar mirëmbajtjen e këtyre pajisjeve.

Tenderi për poliklinikën e Korçës është në fazë vlerësimi, ndërsa poliklinikat në Gjirokastër dhe Peshkopi për të cilat është përgjegjëse Società Ingegneria e Servizi, janë në fazë projektimi ekzekutiv.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›