E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet para shtëpisë 29-vjeçari, në kërkim autori

Elbasan

Një 29-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri pak pas mesnatës së të enjtes, ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, ku viktima, Erion Isai, është qëlluar për vdekje me armë tip pistoletë në “Lagjen Kala” nga persona ende të paidentifikuar, të cilët janë larguar menjëherë nga vendi i krimit. Lajmi është bërë i ditur një ditë më parë nga të dhëna të policisë lokale, sipas të cilave kjo e fundit është lajmëruar nga banorët e lagjes, të cilët kanë dëgjuar krismat e armës. Menjëherë, shërbimet e Drejtorisë së Policisë së këtij qyteti kanë shpejtuar për në vendngjarje duke filluar dhe hetimet për zbardhjen e saj. Nga të dhënat e para të policisë, mësohet se 29-vjeçari nuk njihej si person problematik. Megjithatë, në pyetje tashmë janë marrë të afërmit e tij, si dhe persona të tjerë të njohur. Gjithashtu, policia ka shoqëruar në komisariat disa persona, porse deri në orët e vonat të mbrëmjes së djeshme nuk është lajmëruar për ndonjë arrestim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›