“Reformat” e deformimeve
Në një shkrim të botuar në një gazetë të përditshme në fundin e muajit qershor, kam trajtuar disa probleme që lidhen me reformat universitare të muzikës në Akademinë e Arteve; deformimet e tyre dhe shtrembërimet e qëllimta me prirje personale e autoritariste. Në thelb, shkrimi nuk kishte të bënte me këto, por synonte të afronte sa më shumë forca të arsyeshme për çështjen e progresit evropian të muzikës në një mjedis akademik dhe të pengonte, sa të ishte e mundur, deformimet që sjell si rrjedhojë personalizimi i çështjeve, paaftësia dhe stili përjashtues e prepotent i drejtimit. Nga reagimi i lexuesve e ndjeva që kjo ishte diçka e mirëpritur dhe shpresoja që, edhe në administratën e Fakultetit do të gjeja një frymë përmirësuese bashkëpunimi. Por me sa duket gjërat ishin planizuar të trajtoheshin ndryshe dhe në skenë doli sërish Dekani i fakultetit, personi i kritikuar si përgjegjësi kryesor i deformimeve dhe autori i “projekteve” që bëhen përgjithësisht, vetëm për sytë e “shefave të mëdhenj” dhe vetëm për “t’u shitur”.
Këtë herë ai ishte i inatosur seriozisht me “delen e zezë” që i kishte ikur rreshtit dhe kërkoi me urgjencë mbledhjen e dekanatit për të udhëzuar detaje mbi luftën kundër armikut të “klasës”; për të dënuar publikisht “shpifjet” dhe nëpërkëmbjet që u ishin bërë, sipas tij, “sukseseve” gjashtë mujore të Fakultetit. Por meqë askush nga stafi nuk mori përsipër ta bëjë një punë të tillë për të, ai vetë u detyrua të dalë në shesh të mejdanit e ta mprehë shpatën edhe njëherë, për situatën.
I mjeri Dekan! Kujton se edhe në demokraci është po kaq e thjeshtë sa në kohën e komunizmit, për të planizuar dënime institucionale dhe shtypje të mendimit të lirë. Ai kujton se mjaft të trashë zërin e të përdorë lart e poshtë zarat “e profilizuar” të tij dhe të gjithë do të zverdhen nga frika e do të thonë duke u dridhur: “U nxitova, shokë”, “bëj autokritikë të sinqertë” dhe “premtoj se do të korregjohem e në të ardhmen do të zbatoj me ndërgjegje e besim, porositë e çmuara të shefit...”.
E gjithë kjo është ironike; është për të qeshur, po edhe për të qarë, kur mendon se edhe 20 vjet pas përmbysjes së sistemit totalitar, ka akoma forma veprimi dhe mendësi që të kujtojnë kohën e urryer të diktaturës dhe produktet e saj të rrezikshme, arrogante e kërcënuese. Ne që e kemi jetuar një atmosfere të tillë, e dimë mirë ç’do të thotë të jesh i penguar ditë pas dite në aspiratat e lirisë e të përparimit; të jesh i kërcënuar nga “rojat” ideologjike të shoqërisë dhe të jesh i tmerruar nga mundësia, qoftë edhe formale, e një dënimi... Ndaj kur dëgjuam nismën e Kryesisë së Parlamentit për të hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit, na erdhi mirë që do të bëhej. (Pavarësisht nga disa tone të zbutura që u shfaqën menjëherë pas propozimit dhe që linin të kuptohej se “bashkëpunëtorët” kanë qënë “hallexhinj”, “gjynahqarë” dhe pjesë e ndërgjegjes kombëtare në një periudhë të caktuar historike të shqiptarëve). Në të vërtetë, “bashkëpunëtorët e sigurimit” nuk kanë qenë e njëjta gjë me ish antarët e thjeshtë të Partisë; nuk kanë qenë ndërgjegje sociale dhe as degëzime të domosdoshme të saj. Ata kanë qenë vegla të verbra të një ndërgjegjeje të manipuluar, të deformuar e të frustuar nga sistemi i pseudovlerave me karakter pragmatik, detyrues e shtypës. Kjo i ka bërë të jenë të pamëshirshëm në “profesionin” e tyre dhe në se do t’u jepej rasti ta përdornin këtë “profesion” sërish, do të ishin prapë të pamëshirshëm e të pangopur me format e reja të zbatimit. Një gjë e tillë s’ka nevojë për koment, sepse e shohim të shfaqet përditë në trajtat e moderuara që vijnë si rrjedhojë e mbetjeve të tyre; e shohim të tillë, sa shpesh “na bëhet ferra Brahim” dhe endé kemi frikë (një frikë “demokratike” tashmë), për të jetuar e punuar të lirë.
Tani të vijmë tani tek rasti që filluam të shohim më sipër. Ai shfaqet pikërisht i tillë dhe është reminishencë e qartë e praktikave dhe e mendësive të diktaturës, pavarësisht se bëhet me fasada liberale e “ligjore” dhe pavarësisht se në pamje të parë, jo gjithmonë është e thjeshtë ta zbulosh thelbin e gënjeshtërt të fasadave. (Vetë stili mbetet në çdo rast i afërt, gati i njëjtë me atë paraardhës). Në një kuadër të tillë, kur kokëfortësia për të mos pranuar vërejtjet është e paarsyeshme; kur megallomania dhe mospërfillja e të tjerëve është flagrante dhe kur, mbi këto baza, shpërdorohen e tejkalohen pushtetet pa asnjë përgjegjësi, s’mund të mos shkojë mendja te këto reminishenca dhe s’mund të mos i lidhësh dukuritë e sotme negative, me mbetjet e tyre primitive e antidemokratike. Dhe si ilustrim, unë nuk mund të them se dekani i Fakultetit të Muzikës, z. Sokol Shupo, përshembull, ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, sepse kjo është diçka që s’kam si ta di; por mënyrat e tij të punës e të sjelljes publike të sjellin ndërmend vetiu, pikërisht ato të atyre dhe rrjedhojat mbeten të jenë gjithashtu të tilla; ndërkohë, arsyeja pse vazhdojnë edhe sot të shfaqen njësoj, nuk është vetëm për fajin e tij. Ajo ka të bëjë me faktin që ashtu si më parë, edhe sot, ai e ka të siguruar “qëndrimin e butë” ndaj provokimeve që bën; ndaj fyerjeve dhe projekteve të tipit “Shpifni, shpifni e gënjeni publikisht! Diçka do të mbetet, gjithsesi”; ndërkohë që e bind veten se duke mbajtur kapelen e shtetit, shpifësi mund të “mbretërojë” deri në vdekje dhe askush nuk do të mund t’i thotë “pse shtrembëron të vërtetën”; askush nuk do ta dënojë pse gënjen. Fale Zot, sidoqoftë, se aq di; fale edhe që nuk ka frikë nga ndëshkimi yt, sepse fundja ai është Dekani dhe sipas tij, mjafton një shkresë me firmë e me vulë që t’u mbyllë gojën të tjerëve e të jetë “në rregull” me shtetin; paçka se shkresa mund të urdhërojë të shëmbet mali i Dajtit, apo t’i detyrojë fshatarët e Hasit të dalin në punë me kollare.
Në shkrimin tim të parë unë kam nënvizuar deformime konkrete të procesit universitar të edukimit të artistëve dhe këto nënvizime nuk kanë të bëjnë me “kush jam unë” e “kush je ti”, siç u intereson ta trajtojnë zërat e vegjël të kundërshtimit. Ato synojnë thjesht dhe vetëm dinamikën evropiane të zhvillimit, atmosferën e munguar demokratike dhe gjithë sfondin e saj të bashkëpunimit të ndershëm mes artistëve. Ndërsa prisja mendime mirëkuptuese, të cilat do t’i pranonin, po edhe mund t’i kundërshtonin ndershmërisht objeksionet e mia, ndodhi krejt ndryshe. Përkundër pyetjeve të arsyeshme mbi disiplinën formale të punës dhe praktikat e kontrollit mosbesues të profesorëve; mbi kurrikulat e masakruara të Fakultetit dhe diplomën e varfër të tij; mbi trajtimin prej agai të fshatit që i bëhet kuadrit të ri akademik, apo mbi reformat konceptuale të “Bolonjës” dhe çështje të tjera që lidhen me to, ka qenë një shkrim publik kundërshtues e fyes; një shkrim ku autori sikur qëllon me gurë të gjitha xhamat e fqinjëve dhe të gjithë ndriçuesit e rrugëve publike. Me një shqipe të mbllaçitur nëpër gojë; me shprehje delirante pa shprehje dhe një mungesë të theksuar kulture fshehur pas frazave të vjetra (një njeri që në libra lexon vetëm titujt, s’mund të bëjë tjetër), Dekani përpiqet me sforco të mbulojë personalitetin e tij të dyfishtë; t’i bëjë të tjerët të besojnë se ndryshe nga ç’njihet, ai është trim i madh e i pathyeshëm dhe mund të bëjë ç’të dojë, deri me vendet e punës që qeveria i ka caktuar për reformat kurrikulare të “Bolonjës”. Ai mund të fusë në punë teknikë laboratori, po edhe mund të mos marrë asnjë punonjës; mund të emërojë pesë shoqërues në piano (siç e ka shpallur vetë), por po t’i dojë qejfi, mund t’i zëvëndësojë me pesë marangozë, pesë mekanikë, apo pesë rrobaqepës; madjé, t’i ndihmojë këta të fundit të marrin në shkencat e muzikës, edhe tituj shkencorë.
Natyrisht, unë ju kërkoj ndjesë për qëndrimin ironik, por e ndjej si detyrë të risjell edhe njëherë në kujtesën e të gjithëve (studentëve, kolegëve, shtetit, forcave të arsyeshme intelektuale) të mos bëjnë sehir, por pavarësisht nga rëndësia periferike e problemit, të ndërhyjnë me energji dhe t’u mbyllin rrugën deformimeve e mendësive të tilla me prejardhje diktaturiale, jo evropiane e antidemokratike. Sa për atë që Dekani ka kërkuar të dijë në shkrimet e tij, se kush janë njerëzit me të cilët “unë jam bashkë” në çështjet e demokracisë, atë s’kam ndërmend t’ja them, sepse në fakt, ai e di.
Me stilin që përmenda më sipër, atë të survejimit sigurims “për arsye shtetërore”, ai vetë e zbulon sa hap e e mbyll sytë “çfarë them e çfarë bëj, kur jam në kafene dhe argëtohem”; “kur respektoj drekat mortore” apo dasmat ku ai mungon; “kur mbyllem në “privacy”-në time pa e ditur që më përgjojnë”; madje, edhe “kur shkoj në banjën e “House”-it për nevoja personale”. Siç pohon vetë, Dekani i di të gjitha, prandaj më në fund, po mjaftohem ta falenderoj që më kursen nga dënimet; që si baba i dhemshur fëmijësh plangprishës, më jep mundësinë të korrigjohem; t’i shtrohem punës dhe t’i tregoj Atij që “megjithse diellin s’e bëj dot (ai vetë e ka bërë tashmë dhe po ngrohet në të), mund të krijoj, gjithsesi, “fije bari të papërfillshme”. Sipas premtimit që më ka bërë publikisht, “ne, Dekani” do t’i shikojë të gjitha me qetësi dhe kur t’i mbushet mendja se unë jam korrigjuar e kam ndryshuar krejtësisht, fijet e mia të barit do t’i kthejë në plepa (çfarë magjistari!) dhe për mua do të marrë vendimet më të mira të mundshme.
ǒtë them tjetër? Ju vetë mund ta kuptoni sa keq është i afektuar ky dekan me vetveten dhe sa shumë mund t’u kushtojë reformave një delir i tillë, sidomos në një verë te nxehtë si kjo e sivjetmja.