E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS kundërshton buxhetin e 2009-ës

Partia Socialiste kundërshton buxhetin e 2009-ës. Deputeti i PS-së, Kastriot Islami, theksoi dje se rritja e çmimeve në vend është më e lartë se rritja e të ardhurave dhe, sipas tij, kjo situatë e thellon varfërinë. Deputeti Islami, duke iu referuar krizës globale, bëri me dije se ajo mund të prekë edhe Shqipërinë, ku më fort do të godasë dy kategori, të varfrit dhe ata që kanë borxhe. "Në buxhetin e vitit 2009, nuk parashikohen zgjidhje që do të zbusnin efektet e një krize të mundshme, përkundrazi, varfëria do të vazhdojë të thellohet, kurse borxhi do të rritet me ritme galopante. Dhe kjo vjen nga dy arsye, nga papërgjegjshmëria e qeveritarëve dhe nga fakti se ata ndodhen shumë larg realitetit", tha Islami. Sipas tij, goditjen më të rëndë nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore e kanë marrë njerëzit në nevojë dhe pensionistët, të ardhurat e të cilëve janë të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve.

Buxheti

Partia Socialiste ka sulmuar sërish projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2009. Sipas deputetit të PS-së, 550 milionë dollarët që parashikohen sipas buxhetit të merren në vitin 2009, do të çojnë në 2 miliardë dollarë borxhin e jashtëm total, para këto që do të paguhen nga shqiptarët, në një tjetër taksim indirekt që po u bëhet." Ndërkohë që borxhi i shqiptarëve rritet në periudhën 2006-2009 me 1.3 miliardë euro, duke arritur në 5.3 miliardë euro, pasuritë vetëm të anëtarëve të qeverisë janë rritur në këtë periudhë me 24 milionë euro", tha Islami.

Ai deklaroi se buxheti do të kontestohet fort nga të majtët gjatë diskutimit të tij në Parlament këtë javë. Por, sipas tij, selia rozë i ka gati propozimet konkrete për të ndërhyrë në draftin e Ministrisë së Financave.

Çmimet

Deputeti Islami, në akuzat ndaj buxhetit dhe rritjes së çmimeve, ka bërë një tabelë përqindjesh, ku ka sqaruar rritjen që u është bërë produkteve të konsumit të përditshëm të shqiptarëve në këto tre vitet e fundit. Sipas tij, 1 kg bukë është 42% më shtrenjtë se tre vjet më parë, 1 kg vaj është 120% më shtrenjtë, 1 kg oriz është 115% më shtrenjtë, 1 kg sheqer është 150% më shtrenjtë dhe 1 litër naftë është 100% më e shtrenjtë se tre vjet më parë.

Borxhi

"Nga të dhënat e buxhetit 2009 rezulton se borxhi i shqiptarëve rritet. Rritet edhe borxhi i jashtëm, pra për shkak të kredive që po merr qeveria. Rritet edhe borxhi i brendshëm që në fakt qeveria i merr nga ‘xhepat‘ e shqiptarëve. Pra rritet borxhi i plotë". Ky ka qenë një tjetër aspekt i parë në vështrimin negativ nga partia më e madhe e opozitës ndaj buxhetit të 2009-ës, i cilësuar ndryshe si buxhet elektoral. "Në periudhën 2006-2009, pra gjatë qeverisjes së drejtuar nga PD-ja, shqiptarëve u është rritur borxhi me 1648 euro, ose me rreth 2 milionë lekë të vjetra, duke arritur shifrën 6801 euro, ose rreth 8 milionë e 300 mijë lekë të vjetra. Borxhi i marrë nga jashtë është rritur me 733 euro për çdo familje dhe borxhi i brendshëm është rritur me 915 euro gjatë këtyre viteve", tha Islami.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›