E Diel, 1 Nëntor 2026

Jakup Krasniqi: Të gjendet zgjidhja e krizës politike, ndihmon Kosovën

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, përmes një mesazhi dërguar krerëve të shtetit shqiptar, kërkon gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë për grevën e urisë së deputetëve të Parlamentit Shqiptar. Ai i ka dërguar një mesazh dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Kryeministrit Berisha, Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe deputetëve grevistë të Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkon ushtrimin e influencës së tyre për gjetjen e një zgjidhje. “Kosova është duke kaluar çastet vendimtare në procesin e ndërtimit të shtetit të ri dhe ballafaqohet me një sërë vështirësish të imponuara nga qarqet antishqiptare në botë. Greva e urisë e 10 deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë dhe sidomos degradimi i gjendjes së tyre shëndetësore zhvendos vëmendjen e opinionit shqiptar dhe më gjerë në probleme brendashqiptare. Duke përcjellë me shqetësim të madh grevën e urisë, ju lus miq të nderuar, që të ushtroni influencën Tuaj për gjetjen e një zgjidhje që do t’i jepte fund grevës së urisë dhe së bashku të kontribuojmë në avancimin e njohjes së shtetit të Kosovës”, shprehet në mesazhin e tij kryeparlamentari i Kosovës. Kryetari i Parlamentit të Kosovës i konsideron probleme lehtësisht të zgjidhshme kërkesat e deputetëve grevistë përballë presioneve që bëhen nga lobet serbe kundër shtetit të ri të Kosovës. Në Kosovë ditët e fundit ka një tension të madh, në lidhje me një propozim prej gjashtë pikash të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët. Por përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës e kanë cilësuar si të papranueshëm këtë plan. “Ne nuk jemi nën presion ndërkombëtar, por jemi në komunikime normale të zhvillimit të Kosovës më tej. Është një ofertë a një projekt, të cilin ne e kemi refuzuar si të tillë në elemente substanciale të tij, që janë të papranueshme për Kosovën”, është shprehur për këtë propozim Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›