E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e Bin Ladenit në Iran janë mbajtur për 8 vjet në arrest shtëpie

Një vajzë e liderit të Al Kaedës, Osama bin Laden, është refugjate në Ambasadën Saudite në Teheran pas 8 vjetësh, gjatë të cilëve ajo dhe vëllezërit e saj kanë qenë në arrest shtëpie. Ky është lajmi i publikuar një ditë më parë nga një gazetë saudite. Prej kohësh besohej se Irani mbante disa fëmijë të Bin Ladenit, që kur ata e lanë Afganistanin në vitin 2001, menjëherë pas sulmit të amerikanëve. Ka shumë mundësi që ata të jenë dy djemtë e shefit të Al Kaedës, të cilët kanë rol edhe në organizatë. Këtë vit, zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se njëri nga djemtë, Saad bin Laden, mund të jetë vrarë nga një sulm i ushtrisë amerikane në Pakistan, në të cilin mendohet se ai ka shkuar pasi është larguar nga Irani. Megjithatë bëhet fjalë për informacione të pakonfirmuara. Ndërkohë, Omar bin Laden, një tjetër djalë që ka jetuar jashtë, ka bërë të ditur se disa fëmijë të Bin Ladenit jetojnë ende në Iran. Tentativat e agjencive të ndryshme të lajmeve për të kontaktuar me Omarin kanë dështuar dhe nuk ka pasur asnjë koment si nga ana e sauditëve, ashtu edhe nga ana e iranianëve. Për sa i përket vajzës 17-vjeçare, ajo thuhet se u ka ikur rojeve që e ruanin dhe ka shkuar për të kërkuar strehim në Ambasadën Saudite në Teheran. Kjo ka ndodhur rreth një muaj më parë. I ngarkuari me punë i ambasadës konfirmoi se vajza kishte qenë në mision për 25 ditë dhe se ishin bërë përpjekje diplomatike me iranianët për ta nxjerrë atë jashtë vendit. Ndërkohë thuhet se në ambasadë ka edhe fëmijë të tjerë të Bin Ladenit. Një tjetër djalë i tij, Abdullah, që jeton në Arabinë Saudite, në një intervistë që dha për një rrjet arab televiziv tha se motra i kishte telefonuar pasi kishte arritur t‘u ikte rojeve që e kishin nxjerrë për të blerë disa gjëra në një dyqan në Teheran. Osama bin Laden thuhet se ka 19 fëmijë nga gra të ndryshme. Kur iku në Afganistan, mori me vete 5 gratë dhe fëmijët që kishte me to. Bëhet fjalë për fundin e viteve ‘90, kur atë e përzunë nga Sudani. Ata më pas shkuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur nisi lufta. Ndër ta ishin edhe fëmijët që u përpoqën të iknin përmes Iranit e që me sa duket mbetën aty. Sipas Omarit, familja nuk e ka ditur për një kohë të gjatë fatin e shumë fëmijëve të saj, veçanërisht të atyre që ikën përmes Iranit. Madje kjo situatë ka zgjatur me vite, derisa më në fund doli se ata ndodheshin në Iran dhe kishin mundur t‘u iknin rojeve. Për sa i takon Omarit, ai është martuar me një britanike dhe jeton në Egjipt, ndërsa 8 fëmijë të tjerë të Bin Ladenit jetojnë në Arabinë Saudite dhe Siri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›