E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suedezët sollën disiplinën dhe mendjen e hapur në Bruksel

Në përfundim të presidencës së BE-së, që këta 6 muaj ka qenë nën drejtimin e suedezëve, vlerësimet e punës për nordikët kanë qenë pozitive. Gjakftohtë dhe efecientë, zyrtarët suedezë gjatë 6 muajve të shkuar ia kanë dalë që të zgjidhin një sërë problemesh të organizatës, që nga kriza institucionale që ngërtheu BE-në me rastin e miratimit të Traktatit të Lisbonës, e deri te betejat mes shteteve të ndryshme për pozicionin e shefave të rinj të BE-së sipas traktatit. Ndërkohë, suedezët arritën që të venë pikat mbi "I" edhe në çështje të tilla si ato të klimës dhe mbikëqyrjen financiare. Ata e filluan drejtimin e organizatës më 1 qershor të këtij viti dhe në periudhën e një limboje institucionale që mori vëmendjen e politikanëve dhe të medias për çështjet e ndryshimeve klimatike dhe krizës ekonomike, të cilat në fakt përbënë edhe prioritetet kryesore të punës së suedezëve. "Presidenca suedeze ishte efikase në sigurimin e hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës më 1 shtator dhe në menaxhimin e tranzicionit nga pozicioni i mëparshëm drejt një pozicioni të ri", ka deklaruar Presidenti i Komisionit Europian, Barroso.
Një sfidë tjetër ishte riemërimi i Manuel Barrosos në pozicionin që kishte mbajtur për 4 vjet dhe kjo nuk ishte një gjë e lehtë. Shumë qeveri preferonin që të vonoheshin në zgjedhjen e Presidentit të Komisionit Europian të paktën deri në verë. "Ishte një periudhë ndryshimi institucional dhe ne e mirëpritëm riemërimin e Barrosos, që e kemi konsideruar një pikë kyçe për mbarëvajtjen e punëve dhe veçanërisht për mbarëvajtjen e këtij 6-mujori", ka deklaruar Kryeministri suedez. Aftësitë e tij negociuese ranë në sy veçanërisht pas ratifikimit të Traktatit të Lisbonës nga ana e çekëve. Në këtë moment doli përpara tij një tjetër sfidë, ajo e ndërmjetësimit për të rënë dakord në lidhje me emrat e personave që do të zinin dy postet e reja të rëndësishme që parashikoheshin nga traktati: atë të presidentit të Bashkimit Europian dhe të ministrit të tij të Jashtëm. Fillimisht situata parashikohej problematike, por negocimi i Suedisë bëri që edhe kjo pengesë të zgjidhej brenda një kohe shumë të shkurtër dhe me sukses. Për të arritur rezultatin pozitiv, ai i telefonoi personalisht liderët e 27 vendeve anëtare, bëri udhëtime nëpër shumë kryeqytete të Europës kryesisht në Berlin dhe në Paris, vende të cilat kishin edhe pretendimet më të mëdha për të vendosur njerëzit e tyre në postet kyçe. Marrëveshja u bë më në fund në 19 nëntor, me belgun Herman Van Rompuy, që më 1 janar do të marrë në dorë pozicionin e liderit të parë të përhershëm të Bashkimit Europian për një periudhë 2 vjet e gjysmë. Ndërkaq, surpriza tjetër ishte emërimi në postin e ministres së Jashtme i Catherine Ashton nga Britania e Madhe. Ndërkaq, pa mbaruar mirë ky problem, suedezëve iu desh që të unifikonin qëndrimin e vendeve të ndryshme të organizatës në lidhje me objektivat që duhet t‘i vinin vetes për të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë për klimën në Kopenhagën, që në fund, siç dihet, dështoi që të arrinte një marrëveshje për uljen e emetimeve të gazeve të dëmshëm. Por shumë e rëndësishme ishte dhe çështja e krizës financiare dhe e krijimit të tre organizmave mbikëqyrës për bankat dhe institucionet financiare. Tani, në përfundim të 6 muajve të presidencës suedeze, që mund të thuhet se ishte një periudhë e mbushur me sfida dhe kaotike në vetvete, të gjithë e kuptojnë se suedezët sollën një frymë të re në Bruksel. "Jemi përpjekur që të fusim pak nga disiplina nordike, mendja e hapur dhe puna transparente në Bruksel", ka deklaruar Kryeministri suedez në një nga fjalët e tij përmbyllëse në Bruksel, i bindur që vendi i tij bëri një punë të lavdërueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›