E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy shqiptarë fitojnë gjyqin në Strasburg



Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ka bërë publike se dy të dënuar shqiptarë sapo kanë fituar gjyqin në Strasburg për proces të parregullt. Gjykata e Strasburgut ka vendosur që shteti shqiptar t’u paguajë si dëmshpërblim nga 4800 euro dy shqiptarëve. “Në datën 20 prill 2010, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut shpalli vendimin e saj përfundimtar në lidhje me çështjen ‘Lika’ dhe ‘Laska’ kundër Shqipërisë (aplikimi Nr. 12315/04 dhe 17605/04). Kjo çështje u përfaqësua, sipas autorizimit të kërkuesve, nga Andi Dobrushi dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Sipas këtij vendimi, të marrë me unanimitet, është konstatuar se në gjykimin penal, të zhvilluar nga gjykatat e sistemit gjyqësor shqiptar, ndaj kërkuesve, është shkelur e drejta për një proces të rregullt (neni 6/1 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut)”, - thuhej në njoftimin zyrtar të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Po sipas njoftimit, kërkuesit Vladimir Laska dhe Artur Lika, shtetas shqiptarë, aktualisht vuajnë dënimin me burg në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Burrel. Ata janë dënuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë me 13 vjet burgim, për veprën penale të vjedhjes me armë, në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Shkeljet e pretenduara nga kërkuesit, përpara Gjykatës së Strasburgut , ishin keqtrajtim nga policia gjatë momentit të marrjes në pyetje si dhe shkelje të procesit të rregullt.
Gjykata vërejti se kërkuesit ishin shpallur fajtor bazuar, kryesisht, në thëniet e dëshmitarëve gjatë procedurës së “paraqitjes për njohje të personave” veprim hetimor i kryer gjatë fazës së hetimit. Është pikërisht ky veprim hetimor që në vlerësimin e Gjykatës është kryer në kundërshtim me normat e procesit të rregullt dhe për këtë arsye ajo shprehet, midis të tjerave: “... Aplikantëve u janë veshur maska me ngjyrë blu dhe të bardhë, të ngjashme me ato që pengmarrësit e miniautobusit kanë pasur gjatë pengmarrjes, kjo ndryshe dhe në kontrast me maskën me ngjyrë të zezë që u janë veshur personave të tjerë në rresht. Procedura e identifikimit të autorëve të veprës penale ishte një ftesë e hapur drejtuar dëshmitarëve për të përcaktuar të dy aplikantët si autorë të veprës penale”. Gjithashtu, ajo ka konstatuar mosrespektimin e të drejtës së mbrojtjes për të pandehurit, gjë që në vlerësimin e saj ka dëmtuar seriozisht drejtësinë e procesit gjyqësor.

Prangoset i kërkuari, ishte dënuar për vjedhje

TIRANË – Merr fund arratia e një 42-vjeçari, i cili ishte dënuar nga Drejtësia pak muaj më parë për krimin që kishte bërë. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bëjnë të ditur se kanë arrestuar shtetasin Alfred Gjoligaj, banues në Tiranë. Sipas tyre, ndaj tij ishte lëshuar më datën 5 shkurt urdhërimi për ekzekutimin e vendimit penal, me të cilin ky shtetas është dënuar me një vit burg, për veprën penale të vjedhjes. Që prej datës 11 shkurt Gjoligaj ishte shpallur në kërkim policor dhe vetëm mbrëmjen e dy ditëve më parë ai është prangosur.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›