Rritet niveli i kredive problematike në Shqipëri, sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm
Sa herë që ekspertët flasin për kreditë problematike, ata duan që të sqarojnë se jo të gjitha këto përfundojnë në kredi të këqija, pra që nuk mund t'i kthehen mbrapsht bankës. Qëllon që në një fazë të caktuar një kredimarrje ka performancë negative, por me kalimin e kohës përmirësohet dhe vjen ne parametrat normale, duke dalë nga lista problematike. Gerond Ziu, përgjegjës i zyrës për mbikëqyrjen e bankave në sektorin e mbikëqyrjes së rrezikut të kredisë pranë Bankës së Shqipërisë, jep për “Deutsche Welle”-n treguesin më të fundit zyrtar për kreditë problematike. Nga të dhënat që i referohen fundit të shkurtit të këtij viti, këto kredi problematike janë 11.8 për qind e portofolit total të kredive. Sipas Ziut, “në fundin e vitit 2009 kjo shifër ka qenë 10.5 për qind, ndërkohë që në fund të vitit 2008 kjo shifër ka qenë 6.6 për qind. Pra, vetëm duke lexuar shifrat zyrtare, kupton se nga koha e fillimit të krizës globale e deri më sot, numri i kredive problematike në Shqipëri gati është dyfishuar. Kurse nga fundi i vitit 2009 e në vijim ka një rritje fare të lehtë, si një shenjë e frenimit të fenomenit. Arritjen te ky nivel, Gerond Ziu nga Banka e Shqipërisë e shpjegon me disa arsye. “Ka qenë fillimisht kriza globale, e cila ka dhënë efekte dhe në Shqipëri, duke filluar nga fundi i vitit 2008 dhe gjatë vitit 2009, sidomos në fillim të 2009-s. Është ngadalësimi i niveli të kreditimit nga bankat, si pasojë e shtrëngimit të situatës së likuiditetit. Njëkohësisht, përveç faktorit të ofertës, që në këtë rast janë bankat, duhet thënë së është dhe rënia e faktorit të kërkesës, duke qenë se shumë kredimarrësve iu është dashur të rishikojnë planet e tyre të investimeve për t'i shtyrë në një kohë të dytë". Sipas Gerond Ziut, në thelb të procesit të mbikëqyrjes bankare nuk është treguesi i kreditimit problematik, por është norma e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat. Sistemi bankar në Shqipëri e ka këtë tregues më të lartë se në vendet e BE-së, ku kjo normë është 8 për qind. Nga kjo anë sistemi bankar shqiptar, sipas ekspertëve, jep siguri për vijueshmërinë e punës, pavarësisht nga prezenca e kredive problematike. “Gjithashtu, në këtë periudhë për filialet e bankave të huaja që operojnë në Shqipëri, bankat mëmë ka qenë të gatshme që të mbështesin me kapital aktivitetin e tyre, njëkohësisht për t'i mbështetur dhe me likuiditet”, thotë Gerond Ziu. Këtë mendim ndan dhe biznesmeni Luan Bregasi, i cili për shumë vite ka drejtuar Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. Bankat aktualisht japin siguri dhe janë të mbrojtura, thotë Bregasi. “Sepse në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera, kreditë janë gati një e treta e aseteve të palëvizshme që biznesi ka vënë si garanci për kreditë që ka marrë. Përveç rivlerësimeve që ndodhin për shkak të natyrës që kanë pasuritë e paluajtshme unë mendoj se ato janë dhënë me këtë ide që bankat të jenë super të garantuara”. Sa i takon trajtimit të kredive problematike, Luan Bregasi e shikon këtë si përgjegjësi të përbashkët të tre aktorëve kryesorë: klientëve, bankave, por dhe shtetit. “Së pari, unë do të gjykoja se në këtë moment, përveç detyrimeve që ka biznesi për të përmirësuar menaxhimin e ndërmarrjeve të veta, për të ulur kostot e shpenzimeve, të kostove fikse që ndikojnë direkt në kostot e produkteve të tyre, mendoj se dhe bankat nuk duhet të bëjnë alarmantin. Të përdorin telefonin se “kur do të vish” e “si do të vish”, por të ulen me sipërmarrjen për të gjetur rrugët që ata propozojnë për të dalë nga kjo situatë. Së dyti, do të thosha që bankat mund të shikojnë mundësinë për të rivlerësuar dhe pa riparë të gjithë kredinë me idenë p.sh., që biznesi të shlyente vetëm interesat dhe principali të shtyhej në një afat sipas rastit. Mesa kam biseduar me biznesin mendoj se bankat mund të ishin një rregullator në këtë moment. Në anën tjetër dhe shteti ka detyrimet e veta. Veç presionit që duhet të bëjë për uljen e interesave të kredive, që për mua vazhdojnë të mbeten të larta, të shikohet mundësia e shtyrjes se shlyerjeve të taksave pak më vonë. Shteti nuk mund të bëjë shurdhin, pasi jemi pjesë e këtij realiteti ekonomik të vështirë”. Duke folur në një takim të fundit me drejtuesit e bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri, guvernatori i Bankës Kombëtare, Ardian Fullani, ka prekur dhe problemin e kredive problematike. “Bankat duhet të identifikojnë klientët me probleme të përkohshme dhe të kapërcyeshme dhe të ndërtojnë politika që ofrojnë mbështetje për këta klientë, në këmbim të shtimit të elementeve që mbrojnë bankën prej rrezikut të këtyre kredive në të ardhmen. Për klientët që i vlerësojnë me një mundësi të ulët të pagesës së detyrimit të kredisë, bankat duhet të ndjekin pa hezitim procedurat për ekzekutimin e garancive dhe të formave të tjera të kolateraleve, për rikuperimin e një vlerë sa më të madhe të kredisë. E gjithë vendimmarrja në këtë proces duhet të jetë e qartë dhe e dokumentuar, dhe duhet të ketë si bazë analizën e strukturave të specializuara të bankës”, - ka deklaruar guvernatori Fullani. Shifra prej 11.8 përqindësh e kredive problematike në Shqipëri paraqitet më e lartë se në vendet e tjera të rajonit. Në Maqedoni kjo shifër është 8 për qind, në Malin e Zi 9 për qind dhe në Serbi 10 për qind. Por Gerond Ziu në Bankën e Shqipërisë mendon se kjo është një çështje relative, “që varet nga zhvillimi ekonomik dhe sistemi bankar i çdo vendi, ndaj dhe nuk mund të themi që këta tregues janë plotësisht të krahasueshëm”.
Marrë nga Dojçe Vele
Autor: Arben Muka
24 Prill 2010