E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, ushtarakëve nuk iu paguan dietat për transportin

Dëshmitarët shpjeguan dje procesin e transportit të municioneve, që ishte bërë pa plan

Laureta Rryçi

Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar dje seanca e radhës për çështjen "Gërdeci", ku kanë dëshmuar tre dëshmitarë, dy nga të cilët ushtarakë, ish-drejtues të Komandës së Forcës së Bashkuar.
Në fillim të seancës ka nisur dëshminë e saj Figoli Golemi, e cila shpjegoi në cilësinë e ish-shefes së financimit në Komandën Mbështetëse. Golemi tregoi se ajo kishte përgatitur një tabelë me dietat e të gjithë ushtarakëve që kishin bërë punë suplementare për transportimin e municioneve në Gërdec. Kjo tabelë ishte dërguar drejt Ministrisë së Mbrojtjes, mirëpo askush nuk kishte kthyer përgjigje për të bërë pagesat. Këto dieta, sipas saj, nuk u morën kurrë nga ushtarakët. Më tej procesi vijoi me dëshmitë e dy ish-ushtarakëve.
Dëshmia
Në dëshminë e tij, ish-shefi i transportit në Komandën e Forcës së Bashkuar, Bardhyl Çeliku, pohoi se ishte në dijeni të disa urdhrave për transportin e municioneve për llogari të ndërmarrjes “MEICO”. Çeliku shpjegoi dje transporti i municioneve ishte bërë pa planëzim, pavarësish sasisë së madhe të municionit që po transportohej drejt Gërdecit. Ish-ushtaraku pohoi para trupit gjykues se karburanti duhej të mbulohej nga MEICO, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur. Ndërkohë, për këtë çështje pati një ndërhyrje nga i pandehuri Ylli Pinari. Ky i fundit i kërkoi dëshmitarit t’i shpjegonte se përse struktura që ai drejtonte nuk kishte realizuar sasinë e karburantit që duhej të konsumohej brenda vitit 2007. Dëshmitari u përgjigj se nuk kishte dijeni përse nuk ishte realizuar ky zë në strukturën që ai përfaqësonte. Ndërsa, ish-shefi i Shtabit të Komandës së Forcës së Bashkuar, Baki Bala, dëshmoi mbi procedurat e ndjekura për kalimin në dorëzim të ndërmarrjes “MEICO” të repartit të Gërdecit për demontimin e municioneve luftarake.
Dosja
Çështja "Gërdeci" numëron 29 të pandehur, që në pjesën më të madhe janë ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura. Të pandehurit akuzohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm, humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë mbetën të plagosur dhe u krijuan dëme të mëdha materiale në zonën përreth.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›