E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy skemat e pranimeve në masterat e rinj

 Dy janë propozimet që po shqyrtohen për rimodelimin e masterave në universitete. Pas heqjes së masterave të nivelit të dytë dhe zëvendësimit të tyre me ato profesionalë e shkencorë, po shihen skemat e pranimit. Burime nga Ministria e Arsimit, pasi grupi i ekspertëve të bjerë dakord, ndryshimet do të pasqyrohen në ligjin për arsimin e lartë. "Skemat që po shqyrtohen janë dy. Po shihet si opsion që për të ndjekur masterin shkencor, një student duhet të përfundojë njëherë masterin  profesional. Gjithashtu në diskutim është edhe një mënyrë tjetër që mund të vihet në zbatim, sipas së cilës, studentët mund të ndjekin direkt masterin shkencor pas DND-së, duke u pranuar me disa kritere shtesë", sqarojnë burimet. Masterat profesionalë dhe ata shkencorë janë ndarja kryesore e masterave në të gjitha vendet, që kanë një sistem të tillë akademik, e sidomos në sistemin britanik, prej të cilit është frymëzuar edhe Karta e Bolonjës. Ndërkaq duke u nisur nga deklaratat e Ministrit të Arsimit, për rimodelimin e arsimit të lartë dhe thjeshtëzimin e tij, nis nevoja edhe për rimodelimin e masterave aktualë që ofron Universiteti i Tiranës. Ndryshime pritet të pësojnë kurrikulat. "Në thelb të kurrikulave të masterave profesionalë do të jetë pikërisht aftësimi praktik dhe përgatitja e studentëve për në tregun e punës. Kjo do të thotë, se këto mastera do t`i kushtojnë peshë më të lartë specifike moduleve që aftësojnë studentin me realitetin që ai do të gjejë në tregun e punës", sqarojnë burime nga Universiteti i Tiranës. Sipas tyre nga ana tjetër, masterat shkencorë do të përqendrohen më së tepërmi në pjesën teorike-kërkimore në kurrikulat e tyre. "Këto lloje masterash përqendrohen në zhvillimin e nivelit akademik të studentëve dhe ndonëse prej tyre, orientimi në tregun e punës sërish është i aplikueshëm, ato kanë si pikësynim thellimin teorik-akademik të njohurive dhe punën kërkimore të studentit në fushën që ai përzgjedh", bën me dije UT.                    z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›