E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Partitë, dialog konstruktiv për t'u ngritur mbi interesat e tyre

 Presidenti i vendit, Bamir Topi, i bën thirrje partive politike të nisin një debat konstruktiv për t'u ngritur mbi interesat momentale. Në pritjen e shtruar me trupin diplomatik me rastin e fillim vitit, kreu i shtetit, Topi nuk ka lënë pa përmendur situatën aktuale politike. "Ju, nëpërmjet këshillave tuaja të sinqerta, na keni ndihmuar që të kuptojmë vështirësitë që duhet të përballim për të ndërtuar një Shqipëri moderne. Pavarësisht aftësive tona në rritje, proceset integruese që kemi nisur së bashku, kanë nevojë edhe gjatë vitit 2010, sa për këshillat e sinqerta dhe të hapura, aq edhe për ndihmën e programeve dhe përvojës suaj të gjatë në demokraci", deklaroi Topi. Kreu i shtetit theksoi se "ne i kemi të gjitha aftësitë që gjatë këtij viti të tregojmë më shumë mençuri, përgjegjësi, vizion e besim për të orientuar energjitë dhe kohën tonë shumë të vlefshme drejt një debati konstruktiv, për t'u ngritur mbi interesat imediate, pavarësisht çmimit që kërkohet, për të ndërtuar së bashku shoqërinë e vërtetë demokratike". Sipas Topit, aplikimi i Shqipërisë për statusin e kandidatit, pranimi dhe paraqitja e pyetësorit e bëjnë të veçantë vitin 2009 në raportet me BE-në. "Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se asgjë nuk dhurohet, gjithçka meritohet dhe fitohet me dinjitet. Administrata shqiptare po tregon një përkushtim të rrallë dhe shumë angazhim që dorëzimi i pyetësorit të realizohet brenda afateve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, duke përmbushur kështu edhe këtë detyrë shtëpie që në muajt e parë të vitit 2010, si një ogur i mbarë në rrugën tonë integruese", tha Presidenti. Në këtë pritje morën pjesë dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta dhe ish-kryediplomatët Lulzim Basha dhe Kastriot Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›