E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gati për tryezë dialogu

 Aristir LumeziPartia Socialiste shprehu dje i gatishmëri për dialog me maxhorancën, ndryshe do të vazhdojë protestat. Edi Rama reagoi dje ndaj projekt-raportit të Komitetit për Monitorimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, ku kërkohet gjetja e dialogut për të dalë nga kriza dhe kthimi i opozitës në Parlament. "Dialog po, menjëherë. Qëndrim në vend jo, asnjë moment. Zgjidhje përmes dialogut po, menjëherë. Zvarritje me justifikimin se po kërkohet një zgjidhje jo sot jo nesër, asnjë moment", u shpreh Rama, duke treguar gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje për krizën. Duke e cilësuar projektrezolutën dhe projektraportin e KE-së, si bilanci i parë serioz në rrafshin ndërkombëtar që nuk përfaqëson interesat e një pale por të gjithë popullit, Rama deklaroi se ishte i gatshëm të ulej në çdo tryezë, për të dalë nga kriza politike ku është futur vendi, por theksoi se e vetmja rrugëzgjidhje është hapja e kutive për të parë si është administruar vota e lirë. "Konfirmoj pjesëmarrjen e opozitës në çdo tryezë serioze të organizuar për këtë çështje, duke e konsideruar dialogun një mjet të patjetërsueshëm për daljen nga kjo krizë e rëndë që vetëm thellohet. Ashtu sikundër ritheksoj se duke qenë të gatshëm në çdo moment për dialog, ne nuk do të qëndrojmë asnjë moment në vend në rrugën e protestës popullore. E cila do të vazhdojë si një mjet demokratik po ashtu i patjetërsueshëm, në kushtet kur opozita është grabitur në votat e saj. Ne nuk kemi dy rrugë por vetëm një, rrugën e të drejtës për të zgjedhur lirisht me votë dhe për të parë si është administruar vota e lirë", nënvizoi Rama. Kryesocialisti shprehu gatishmërinë e partisë që drejton, për të kontribuar në zgjidhjen e krizës politike në vend. "Rishpreh gatishmërinë e opozitës për të dhënë çdo kontribut në trajtimin si duhet të kësaj krize, duke e kërkuar zgjidhjen e saj në rrënjë, përmes transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të 28 qershorit". "Ndaj me ta, si edhe me të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë, bindjen se dialogu mes forcave politike në një vend demokratik bëhet në Parlament dhe përsëris qëndrimin e palëkundshëm të opozitës për të mos u bërë pjesë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, deri ditën kur e drejta jonë kushtetuese e demokratike, për hetimin me themel të zgjedhjeve, nuk do të materializohet në një marrëveshje të negociuar mes palëve, e cila t'i hapë rrugë një komisioni hetimor parlamentar me shumicë e kryesim të opozitës e me asistencën dhe monitorimin përkatës ndërkombëtar", tha Rama. Kryesocialisti tha dje se Kryeministri Berisha duhet të lexojë mirë sinjalin e KE-së, duke lejuar krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Nëse nuk do të ndodhë kjo, atëherë, tha Rama, protestat do të vazhdojnë. "Unë e ftoj Sali Berishën ta lexojë drejt këtë sinjal të fortë shqetësimi, por edhe sugjerimet konkrete që vijnë përmes këtij sinjali, që vijnë nga Këshilli i Evropës dhe t'i japë fund bojkotit të opozitës, duke i dhënë popullit opozitar të drejtën të shohë gjithçka ka ndodhur në zgjedhjet e shkuara dhe gjithçka gjendet në kutitë e mbyllura të 28 qershorit, mu aty në Parlamentin e Shqipërisë përmes atij mekanizmi kushtetues që e garanton këtë; komisionit hetimor parlamentar, pa asnjë kushtëzim që kufizon liri e të drejta kushtetuese, që janë për ne të panegociueshme", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›