PD: Komision hetimor, kutitë s’hapen
BLEDAR HOTIPartia Demokratike shprehet hapur për të ngritur komisionin hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së PS-së për dialog. Projekt-rezoluta e Këshillit të Evropës ka ulur disi armët ndërmjet PD-së dhe PS-së, të cilat u shprehën dje të gatshme për dialog për zgjidhjen e ngërçit politik. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi duke vlerësuar projekt-rezolutën e dy reporterëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, tha se maxhoranca është e hapur për të bashkëpunuar me opozitën. "Jam këtu sot, që në emër të Grupit Parlamentar te Partisë Demokratike të shpreh vlerësimin për projekt-rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila kërkon pjesëmarrjen e opozitës në Parlament si dhe ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Dëshiroj që më këtë rast, të përshëndes qëndrimin e shprehur sot publikisht të kryetarit të Partisë Socialiste, zotit Edi Rama, në mbështetje të këtyre kërkesave", deklaroi Patozi. Përfaqësuesi i maxhorancës në Kuvend theksoi se është i gatshëm të lejojë PS-së të drejtojë komisionin hetimor. "Maxhoranca, që qeveris vendin, ashtu siç ka deklaruar edhe herë të tjera, është e gatshme që t'i japë opozitës shumicën në këtë komision parlamentar. Ne jemi plotësisht dakord për një hetim të plotë dhe të ndershëm, në përputhje me Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregullat e shtetit ligjor. Më duhet të theksoj gjithashtu, se kjo maxhorancë ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për dialog me opozitën, por ky komunikim duhet të zhvillohet në rrafshin institucional, dhe jo në rrugë", deklaroi Patozi. Por përsëri PD dhe PD ngelen shumë larg njëra-tjetrës për çështjen e hapjes së kutive të votimit. Në lidhje me këtë pikë, kreu i PS-së ripërsëriti qëndrimin se nuk tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive. Ndërsa Patozi bëri të qartë se do të lejohet çdo hetim që është në përputhje me ligjin e Kushtetutën e vendit, duke lënë të nënkuptohet se çështja e kutive të votimit mbetet e paprekshme për demokratët. Dy ditë më parë Këshilli i Evropës propozoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit dhe i bën thirrje opozitës të hyjë në Parlament. Dy raportuesit për Shqipërinë në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Jako Lakso dhe David Uilshire, kanë përgatitur një projekt rezolutë e cila do të miratohet në seancën e 28 janarit të Asamblesë Parlamentare të KE-së. "Komiteti i Monitorimit i bën thirrje Qeverisë dhe Opozitës shqiptare për t'i dhënë fund krizës aktuale politike dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të vazhdojnë me reformat jetike. Qeveria duhet të ngrejë pa vonesa të mëtejshme, një komision parlamentar për hetim në zgjedhjet e qershorit 2009 dhe opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të marrë pjesë plotësisht në punimet e tij. Autoritetet shqiptare duhet të përmirësojnë kuadrin ligjor zgjedhor, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias", thuhet në hyrje të kësaj projekt rezolute.