PS, tryezë me biznesin për Gjykatën

Tryeza e PS per gjykaten administrative
Opozita u kërkon përfaqësuesve të biznesit propozime konkrete për ligjin e Gjykatës Administrative.
Xhafaj: Ne nuk duam të ngremë një gjykatë si këto që kemi.
Partia Socialiste nisi dje zyrtarisht hartimin e propozimeve për ligjin për Gjykatën Administrative. Deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve thirrën dje në një tryezë të rrumbullakët përfaqësues të biznesit në Shqipëri, për të ndarë me ta shqetësimet që presin të zgjidhë kjo gjykatë. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se ajo që kërkon PS është ngritja e një gjykate administrative, e cila të mos jetë e një niveli dhe cilësie me gjykatat aktuale, por një gjykatë që do të zgjidhë, dhe jo të zvarrisë mosmarrëveshjet e biznesit me shtetin. Për ne nuk është i rëndësishëm miratimi ligjit në vetvete, për ne nuk është shumë e rëndësishme ngritja e kartonit në një datë të caktuar që do të shënojë miratimin e këtij akti. Ne nuk duam të ngremë një gjykatë si këto që kemi dhe dimë se si funksionojnë. Për ne është me shumë rëndësi procesi që duam të ndërtojmë, që në fund të fundit, në qëllimin e përbashkët, një ligj sa më i mirë. Një ligj cilësor që do tu shërbejë interesave të qytetarëve, interesave të grupeve të interesit e në mënyrë të veçantë, interesave të biznesit. Një ligj që të ketë mundësi të japë një gjykim të paanshëm, të drejtë dhe të shpejtë, tha Xhafaj. Ndërsa deputeti socialist, Armando Subashi, që është relatori këtij projektligji në Komisionin e Ligjeve, u ka drejtuar disa pyetje shoqatave të biznesit, pjesëmarrësve në tryezë, për të marrë prej tyre propozimet mbi bazën e shqetësimeve apo problematikave që atyre u ka dalë në procesin ankimues në gjykatë të shkeljeve administrative nga autoritete shtetërore. Përfaqësuesit e grupeve të interesit e vunë theksin kryesisht te profesionalizmi i trupës gjykuese në Gjykatën Administrative. Gjergj Buxhuku, nga Konfindustria, tha: Ajo që është një kërkesë e arsyeshme dhe ka të bëjë me vetë qenien e ligjit, është fakti që ne kërkojmë që të paktën 30% e gjyqtarëve që do punojnë në Gjykatën Administrative, të jenë me profesion të parë ekspertë të caktuar sipas fushave të së drejtës administrative, me qëllim rritjen e cilësisë së gjykimit, shpejtësisë. Miratimi i këtij ligji duhet të jetë i shpejtë dhe cilësor. Lironika Prifti, përfaqësuese e Shoqatës Shqiptare të Bankave, e vuri theksin te kriteret e gjyqtarëve. Mendoj se është e rëndësishme për këto lloj gjykatash dhe fushën e veprimtarisë që do mbulojnë, të pasurit e specialistëve të mirëfilltë. Flasim për një gjykatë, një gjyqtar duhet të jetë i mirëpërgatitur në elementet e procedurës. Palët të shprehen në lidhje me numrin e anëtarëve të trupit gjykues.
Përfaqësuesit
Në tryezën e organizuar nga deputetët socialistë të Komisionit Parlamentar të Ligjeve ishin të pranishëm përfaqësues nga BiznesAlbania, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Konfindustria, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Grave Profesioniste dhe Afariste, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Instituti i Kontabilistëve të Miratuar, Shoqata Shqiptare e Bankave, Dhoma Tregtare Greko Shqiptare e Tregtisë dhe Industrisë, Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë etj.
ARISTIR LUMEZI