E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sillet nga Gjermania, kërkohej për plagosjen e një biznesmeni

Deportohet nga Gjermania një shqiptar që kishte udhëtuar me dokumente të falsifikuara, por gjatë kontrollit rezulton se ishte në kërkim për tentativën e vrasjes ndaj një biznesmeni. Pikërisht në mesnatë, në Rinas është deportuar nga Gjermania shtetasi në kërkim, Ahmet Zena, 29 vjeç, banues në Elbasan. Ai dyshohet për një ngjarje të ndodhur disa muaj më parë. Policia dyshon se ai ka qëlluar me armë ndaj shtetasit Fatos Balla, rreth 40 vjeç, i cili në atë çast ndodhej në pallatin në ndërtim në pronësi të tij. Ahmet Zena udhëtonte me një automjet me targë M. G. V. L., 44 dhe pasi ka zbritur nga makina, ka qëlluar në drejtim të Fatos Ballës. Biznesmeni është plagosur në njërën këmbë, pasi pistoleta është bllokuar dhe ka nxjerrë një plumb të vetëm. Atentatori ka tentuar të qëllojë sërish, por ka qenë e pamundur. Më pas ai ka hedhur armën në një pus në afërsi të pallatit dhe është larguar më këmbë me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke braktisur edhe mjetin tip "Mercedes Benz". Në atë kohë, ngjarja u vlerësua shumë nga policia, por nuk u arrit të kapet i dyshuari. Por, pas punës së shpejtë operative, policia ka identifikuar autorin e atentatit dhe e ka shpallur atë në kërkim. Pak muaj më parë rezulton se Zena ka shkuar në Gjermani dhe sapo ai është kthyer është arrestuar nga policia. Ai iu dorëzua Drejtorisë së Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›