E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të arrestuar, u kapën me një sasi hashashi

Në Tiranë

Dy persona janë arrestuar nga punonjësit e policisë së kryeqytetit pasi janë kapur me një sasi lëndë narkotike të llojit Kanabis sativa. Sipas të dhënave policore gjatë ditës së djeshme, mësohet se specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme Speciale të Komisariatit nr. 6, orët e vona të së mërkurës kryen arrestimin në flagrancë të 17-vjeçarit A. H., banues në Kashar, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar rreth orës 23:30, në kodër Kashar, në mjetit tip Volksvagen Golf, me targa KITN 11, iu gjet një qese e mbushur me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kanabis sativa. Policia tha se në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua 20 gr bimë e dyshuar Kanabis sativa si dhe një aparat telefoni celular. Po gjatë së mërkurës, specialistët e këtij seksioni, kryen kapjen në flagrancë të Edmond Dracit, 20 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, i riu u kap në flagrancë tek pishinat, afër Liqenit Artificial me një qese farmacie të mbushur me bimë narkotike të dyshuar e llojit Kanabis sativa. U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 2 gr bimë e dyshuar Kanabis sativa. Për të dy, materialet i kaluan prokurorisë, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›