E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të arta për Norvegjinë

Maria Riesch e Gjermanisë fitoi medaljen e artë Olimpike në superkombinim (lëshim-sllallom) të enjten pasi kampionia në lëshim Lindsey Vonn u rrëzua në garën e sllallomit. Në ditën e shtatë të Lojërave Olimpike Dimërore në Vancouver, Norvegjia kishte kampionë të dyfishtë në biatlon, ndërsa nikoqiri Kanadaja fitoi medaljen e tretë të artë me triumfin e Christine Nesbitt në rrëshqitje të shpejtë me patina në 1000 metra. Shpresat e amerikanes Vonn për dy medalje të arta në po aq ditë u shuan kur ajo huqi një portë në sllallom të superkombinimit pasi ishte lidere në lëshim. Bashkëkombasja e saj, Julia Mancuso fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa Anja Paerson e Suedisë u rikthye nga rrëzimi në lëshim të mërkurën për të fituar medaljen e bronztë. Biatloni i takoi Norvegjisë, ku Tora Berger e fitoi garën e femrave në 15 kilometra. Elena Khrustaleva u dhuroi Kazakistanit medaljen e parë, të argjendtë, ndërsa Darya Domracheva mori të bronztën për Bjellorusinë. Emil Hegle Svendsen i solli Norvegjisë medaljen e dytë të artë në biatlon duke fituar garën e meshkujve në 20 kilometra. Ole Einar Bjoerndalen e ndau të argjendtën me Sergey Novikovin nga Bjellorusia. Christine Nesbitt i gëzoi tifozët vendas në Richmond Olympic Oval duke fituar garën në rrëshqitje të shpejtë me patina në 1000 metra. Nesbitt mposhti Annette Gerritsen nga Holanda për 0.02 sekonda, ndërsa Laurine van Riessen e fitoi medaljen e bronztë për Tulipanët. Torah Bright nga Australia fitoi medaljen e artë në snoubord në disiplinën halfpajp. Dy medaljet e tjera u takuan amerikaneve, Hannah Teter dhe Kelly Clark. Amerikani Evan Lysacek befasoi rusin Evgeni Plushenko duke fituar medaljen e artë në patinazhin artistik. Japonezi Daisuke Takahashi mori medaljen e bronztë.

SHBA 6 5 7 18
Gjermania 4 4 3 11
Norvegjia 3 3 2 8
Kanada 3 3 1 7
Franca 2 1 4 7
Koreja 3 2 0 5
Austria 1 2 2 5
Zvicra 3 0 1 4
Kina 2 1 1 4
Rusia 1 2 1 4

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›