E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtëpia e blinduar

Nëse sonte mbrëma Inter nuk humb në shtëpi nga Sampdoria, Jose Mourinho do të festojë 8 vjet pa disfatë në ndeshjet si vendas në kampionat, seri e 129 takimeve (106 fitore, 23 barazime) që mund të bëhen 130.

Bilanc i jashtëzakonshëm, vështirë i përsëritshëm në shkallën e futbollit botëror, që është dëshmi se strategu portugez ka vendosur themelin e sukseseve të tij pikërisht në shtëpi.

Humbja e tij e fundit si vendas ishte më 23 shkurt të vitit 2002, kur Porto u mposht 2-3 nga Beira Mar. Ndërsa seria e tij vazhdoi në Chelsea dhe tani në Inter. Ndërrojnë kampionatet shtetërore, por jo edhe rezultatet – në shtëpinë e Jose Mourinhos nuk fitohet.

Mourinho e hapi serinë pa humbje në shtëpi në sezonin e tij të parë në Porto, ku erdhi në janar të vitit 2002, kur zëvendësoi Octavio Machadon. Prej disfatës nga Beira Mar e deri më sot, Mourinho është i pamposhtur në 38 ndeshje me Porton, 60 me Chelsean dhe 31 (deri më tani) me Interin.

I jashtëzakonshëm është edhe numri i golave: 281 të shënuara nga futbollistët e tij (2.17 për ndeshje), 77 të pranuara (0.6). Por, ka edhe më tepër: kur ishte në Porto, në vitin e tij të dytë (2002-2003) e filloi sezonin me barazim në shtëpi kundër Belenenses (22 gusht 2002), pastaj fitoi 16 ndeshje të njëpasnjëshme, 17 fitore nga 17 ndeshje në sezonin 2003-2004 në El Dragao.

Në bankinën e Chelseas nuk ka arritur të ketë seri të fitoreve si në Porto, por në sezonin 2005-06, vit i përmbyllur me titullin e tij të dytë në Premierligë, e mbylli edicionin në Stamford Bridge me 18 fitore dhe një barazim.

Më meritor për ‘blindim të shtëpisë’ është reparti defansiv. Ekipet e tij nga sezoni 2002-03 deri më sot gjithmonë kanë qenë mbrojtjet me më së paku gola të pranuar në kampionat.

Ndodhi edhe më 2006-07, kur Chelsea u mposht nga Manchester United në garë për titull. Porto në sezonin 2002-2003 pranoi 12 gola në 17 ndeshje në shtëpi, ndërsa gjysmën e kësaj shifre në sezonin pasardhës. 6 me Chelsean në Stamford Bridge në sezonin 2004-05, shifër e ngritur në 9 në edicionin 2005-06 e pastaj 11 në 2006-07.

Në sezonin e tij të parë në drejtimin e Interit ka pranuar 16 gola në Giuseppe Meazza, ndërsa aktualisht është në kuotën e 11 nga 12 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›