E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy të dënuar nga gjykata,grevë urie në qeli

25/04/2005  Kërkojnë transferimin në burg

BERAT - U mbushën tre ditët e grevës së urisë, për dy të burgosur të dënuar me vendim të formës të prerë, nga tre shkallët e gjykatës në Berat. Ata janë duke vuajtur dënimin në dhomat e paraburgimit në komisariatin e policisë.

Leonard Zeka e Astrit Qamurani, prej tre ditësh janë futur në grevë urie dhe kërkojnë transferimin nga dhomat e paraburgimit, në vendet e vuajtjes së dënimit. Kjo eshtë e vetmja kerkesë e tyre e përseritur për të disatën herë. Kësaj rradhe, të denuarit thonë se nëse nuk iu plotësohet kerkesa për transferim nga qelitë e paraburgimit, do të vazhdojnë grevën deri në vdekje.

Kjo është greva e dytë e Leonard Zekës dhe e Astrit Qamuranit. Ditën e dytë, dje, grevistët nuk kanë pranuar të pinë as ujë, dhe as ndihmën e mjekut. Ata kanë pohuar se kërkojnë të trasferohen, për kushte më të mira, pasi në dhomat e paraburgimit të Beratit, ka mbipopullim dhe kushtet janë shumë të këqia, sidomos, më të vështira bëhen tani që po rritet edhe temperatura.

Ditët e fundit, të burgosurit nuk kanë pranuar të takojnë njeri, të marrin ushqimin dhe rrobat që iu kanë sjellë të afërmit e tyre.

Sipas policisë, bëhet e ditur se për këtë problem, Drejtoria e policisë së rrethit të Beratit ka ndërhyrë duke futur mjekun e Drejtorisë në orën 13,00 të ditës së djeshme, për tu qëndruar afër grevistëve, të cilët nuk kanë pranuar të marrin asnjë lloj mjekimi dhe ushqimi.

Për këtë arsye, Drejtoria e Policisë ka lajmëruar Drejtorinë e Burgjeve, Ministrinë e Rendit.

Komisari i Beratit, Luan Hyseni tha për gazetën, “se paraardhësit e mi, kanë pasur një përvojë të hidhur me trasferimin e të burgosurve të formës së prerë, në kampet e vuajtjes të dënimit, pasi në të gjitha rastet, të paktën këtu në Berat, është dashur që të burgosurit në fillim hyjnë në grevë urie dhe pastaj të fillojnë proçedurat e trasferimit të tyre në kampet e vuajtjes të dënimit“.

Ky është rasti i gjashtë, që të burgosurit në komisariatin e Beratit hyjnë në grevë urie, duke kërkuar trasferimin nga qelitë e paraburgimit. Me ndërhyrjen e autoriteteve të larta të strukturave përkatëse, është bërë dhe largimi i të dënuarve nga qelitë e komisariatit. Kësaj rradhe, ende nuk ka patur shenja pozitive nga Drejtoria e Burgjeve.

Dy grevistët

Të burgosur e të dënuar

me vendim të formës së prerë

Leonard Zeka është i akuzuar për pjesëmarrje në banda, gjatë viti 1997, me të ashtuquajturën banda e “Otllakut” dhe i dënuar me 13 vjet burg.

Astrit Qamurani është dënuar me 25 vjet burg, për vrasjen e dy fshatarëve të tij në Përondi, me 26 gusht të viti 2004.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›