E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në 2007, aplikojmë për anëtarësim në BE, në rast se ka zgjedhje të lira

25/04/2005  Meksi dhe Bello japin objektivat e socialistëve për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike

Partia Socialiste, thekson se Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian, pas 10 vitesh. Gjatë mbledhjes së komisionit për çështjet e integrimit në Partinë Socialiste, është vlerësuar se me hapat e ndërmarra, vendi ynë do të synojë integrimin e plotë në strukturat euroatlantike. Sipas analizës së paraqitur prej ministres Ermelinda Meksi, në vitin 2007, Shqipëria do të paraqesë kërkesën zyrtare për integrimin në BE, ndërsa brenda vitit 2015, shqiptarët do të shohin veten brenda kufijve të Bashkimit Evropian. Megjithatë, Meksi ka vlerësuar se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, do të jetë elementi kyç për integrimin e Shqipërisë. Sipas saj, në fund të këtij viti, qeveria do të nënshkruajë nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, për ti hapur rrugën më pas integrimit. Në këtë mënyrë, është theksuar se zgjedhjet janë pika kyçe në hapat që do të hedhë Shqipëria. Ndaj, Meksi është shprehur se qeveria do të marrë të gjitha hapat e nevojshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike, sipas standarteve që ka kërkuar Bashkimi Evropian. "Siç dihet, komponenti më i rëndësishëm i procesit të integrimit evropian, është Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit, të cilën Shqipëria pritet ta nënshkruajë brenda vitit 2005, nëse procesi zgjedhor do të jetë i drejtë dhe sipas standarteve ndërkombëtare dhe që do të përbëjë kontratën ligjore mes Shqipërisë dhe BE, kontratë që do të rregullojë të gjitha aspektet e përgatitjes sonë, për të kaluar në stadin tjetër: atë të aplikimit për antarësim rreth vitit 2007 dhe antarësimit të plotë rreth vitit 2015".

Toska

Nga ana e tij, ministri i Rendit, Igli Toska, ka theksuar reformat që ka ndërmarrë Shqipëria. Duke vlerësuar rëndësinë e zgjedhjeve, Toska ka theksuar se policia shqiptare nuk do të ndërhyjë në procesin e votimit, por do të zbatojë ligjin, duke garantuar qetësinë dhe rregullin. "Ditën e zgjedhjeve, policia e shtetit nuk do të përdoret nga politika", tha Toska. Në këtë kontekst, Toska ka theksuar se do të zbatohen përcaktimet e Kodit Zgjedhor, ku policia do të ndërhyjë vetëm në rast se do të kërkohet prej komisioneve zgjedhore. Në kodin elektoral është përcaktuar se, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, apo specialet, nuk duhet të jenë pranë qendrave të votimit. Madje, për ta është kërkuar qëndrimi në ambientet e policisë, pasi në asnjë rast nuk parashikohet ndërhyrja e tyre. Për të ruajtur qetësinë e zgjedhjeve, do të jetë në detyrë vetëm policia e shtetit dhe ajo e objekteve. Madje dhe këto forca nuk do të vendosen pranë qendrave të votimit, por do të patrullojnë në rrugë, ku nuk do ti lejohet asnjë lloj presioni ndaj votuesve.

Reformat

Ministri i Shtetit Marko Bello, duke kërkuar mbështetjen e elektoratit për Partinë socialiste ka vlerësuar reformat e zbatuara deri më tani. Ai ka theksuar se dhe në katër vitet e ardhshme, do të vijohet me reformat e kërkuara. Bello ka theksuar se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, do të jenë sërisht në qendër të vëmendjes. "Në kohën e qeverisjes së PD, vendi karakterizohej nga mungesa e vizionit, politikave dhe strategjive antikorrupsion. Në dallim nga PD, qeverisja socialiste si në të kaluarën edhe në mandatin e ardhshëm 2005-2009, do të zbatojë standartet duke qenë palë në të gjitha instrumentat evropiane", tha Bello.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›