E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Kemi edhe ne të verbërit botën tonë të mistershme”

25/04/2005  I verbri që luan muzikë e këndon në dasma,rrëfen jetën e tij

FIER - Duket se natyra e ka qëlluar me shuplakë të rëndë, por edhe e ka përkëdhelur. I ka mohuar shikimin, por i ka sjellë një pasuri të tërë, si talentin dhe pasionin e madh për muzikën, dëshirën për të jetuar denjësisht, pa u përulur para çdo lloj fatkeqësie natyrore dhe familjare.

Quhet Vilson Pjetri, dhe është njëri nga muzikantët më të dëgjuar jo vetëm në rrethin e Fierit, por edhe më gjerë.

Është vetëm 35-vjeç dhe njëkohësisht, baba i dy fëmijëve të vegjël.

Vilsoni edhe pse i lindur i verbër, me fisnikërinë e tij, asnjëherë nuk e përmendi një fakt të tillë, madje edhe nuk ka dëshirë ti përmendet kjo fatkeqësi. Ai e cilëson veten njësoj si gjithë të tjerët, madje pohon se mëshirën, burokracinë dhe

servilizmin nuk e ka duruar asnjëherë.

Ai shkon edne në dasma me grupin e tij muzikor, por dasmat, pohon ai, nuk janë gjithçka, madje nuk mund të sigurojë mbijetesën e një familje prej 4 vetësh.

Është e çuditshme sesi orientohet në rrugë Vilsoni pa asnjë shoqërues. Krejtësisht i verbër, por që “shikon” më mirë se ata që janë normal me shikimin. Është e rrallë, por Vilsoni ecën rrugës i vetëm pa asnjë shoqërues, kudo në rrugë edhe mes fluksit të makinave.

Kur e pyet për atë, se si orientohet në rrugë, përgjigjet se, “më duhet të jetoj, të punoj, të lëviz dhe nuk kam mundësi të mbaj asnjë shoqërues. Kemi edhe ne të verbërit botën tonë, kam edhe unë botën time të mistershme”.

Vilsoni, pohon se vite më parë, përkundrazi, i vetëm udhëtonte lehtësisht nëpër qytete të tjera, ku ai ndiqte si sportdashës ekipin e tij të zemrës, të futbollit “Apoloninë”.

“Kam qenë i çmendur pas tyre”, pohon i qeshur Vilsoni.

Karriera e të verbërit

“Repertori im, edhe këngë me Petrit Lulon...”

Në bisedë, ai si shkarazi përmend se “karriera” e tij, përfshin edhe bashkëpunim, pse jo, edhe këngë të kënduara, me këngëtarët Petrit Lulo, Elida Koreshi, Ludmilla Baballëku, etj. Vilsoni ka dëshirë të flasë vetëm për muzikën, madje jep edhe opinionin e tij për rrymat muzikore dhe ndryshimet që janë bërë në fushën muzikore, që nga koha që ai filloi karrierën e deri më sot.

Kur filloi “karriera” juaj muzikore?

Kam kënduar që në moshën 4-5 vjeçare dhe kam bërë vetëm dy klasë shkollë, më tepër si dëgjues. Mundësitë ekonomike dhe mungesa e përkrahjes nga dikush, më ka lënë të paarsimuar. Sikur të merrej dikush me fatin ose jetën time, jam i bindur se do të bëhesha dikushi.

Si keni mësuar të luani në veglat muzikore?

Unë jam një muzikant autodidakt, nuk kam studiuar për të, por e kam dhunti të lindur. Ka qënë një kunat dhe vëllai im i madh që më kanë mësuar ti bie veglave muzikore, kryesisht klarinetës, çiftelisë, fizarmonikës, dhe kam nisur herët të punoj si instrumentist, pasi kemi qënë në një grup prej 5 vetësh. Ndërkohë, kam punuar në grup me Petrit Lulon për një periudhë 6-vjeçare, me Elida Koreshin, Ludmilla Baballëkun, etj.

Çfarë preferencash keni për muzikën dhe rrymat e saj?

Pëlqej muzikën shqiptare, gjithçka që është shqiptare, si muzikën popullore, ashtu dhe të lehtën. Luaj në instrument muzikën qytetare të të gjitha trevave dhe bëj përpjekje për njohjen e këngëve të reja. Nuk më pëlqejnë rrymat e reja që po dalin tashmë. Ka shumë harbutëri muzikore që dallohet qartë që nga tekset banale e deri tek muzika e çjerrë. Kjo gjë më ka mërzitur, tendenca për të pëlqyer muzikë të tillë. Ne kemi muzikë të mrekullueshme, nuk e kuptoj pse e bastardojnë kështu. Më është mërzitur jo profesioni im, pasi këtë e adhuroj, por më është mërzitur vulgariteti.

Sonin e njohin të gjithë

“Jeta më ka goditur e përkëdhelur”

Vilson Pjetri, nga të gjithë instrumentistët dhe banorët njihet me emrin Soni. Ai udhëton drejt errësirës së përjetshme, por nuk është fatalist, përkundrazi, “pasi del nga shtëpia, marr motivin e dëshirës për jetën, pasi ajo është e bukur”, pohon protagonisti ynë.

“Mua babai më ka lënë 6-vjeç, tani shpejt më vdiq edhe nëna, vijon Vilsoni. Nëna është e dhimbshme, për të s’ka moshë, por

tashmë kam familjen time dhe dy fëmijët e mi. Jam i kënaqur nga jeta. Më ka goditur dhe përkëdhelur. Njerëzit më duan dhe më respektojn녔

Ngjarje në autobus

“Njoha nga zëri një vazjë, që e kisha dëgjuar në një dasëm”

“Më ka mbetur në mendje një ngjarje në autobus, vazhdon rrëfimin Soni. Po shkoja në Berat dhe pranë meje u ul një vajzë. Si zakonisht, udhëtarët pyesin njëri-tjetrin. Më pyeti dhe i thashë se jam nga Fieri. Nga zëri e njoha vajzën. Kisha shkuar në shtëpinë e saj në një dasëm, para 7-8 vjetësh. Është e çuditshme, por unë i njoh shumë mirë njerëzit, nga zëri edhe kur i takoj vetëm një herë. Vajza më pyet për Vilsonin si instrumentist. Unë nuk i thashë që isha unë, përkundrazi i thashë që e njihja pak dhe se “ai ka rënë moralisht, ka filluar të pijë dhe nuk është më instrumentisti i parë”. Ajo u zemërua dhe më tha se unë nuk e njihja, pasi ai ishte njeri i mirë dhe instrumentist i zoti. Më erdhi mirë që kisha lënë shije të mirë tek shtëpia e saj dhe kudo. Atëherë i thashë të vërtetën...”

Të lëvizësh për të mbijetuar

“Ah të kisha një shkollë të lartë...”

“Njeriu duhet të jetë praktik, ta marrë jetën siç i ka

ardhur, me të mirat dhe me të këqijat, thotë Vilsoni. Mua

më vjen keq për dy djemtë e hallës, edhe ata të verbër. Ata s’dalin nga shtëpia, nuk orientohen dot. Halla i ka mbajtur të mbyllur, madje njëri prej tyre ka mbaruar edhe Fakultetin për histori-gjeografi dhe rri pa punë, pasi seksioni i arsimit në rreth, nuk i jep një punë për shkak të fatkeqësisë që ka. Kjo nuk

është normale. Ah që s’kisha një shkollë si ai!”, thotë me

peng Vilsoni, duke shprehur keqardhje për dy të verbërit,

sikur ai të ishte njeri normal.

Gjithsesi, Vilsoni të jep përshtypjen, gjatë gjithë bisedës, që është një njeri si gjithë të tjerët, me gjithë shqetësimet dhe brengat…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›