E Hënë, 2 Nëntor 2026

Var veten ish - e fejuara ndiqte shumë telenovelat,

25/04/2005  Të afërmit gjejnë 21-vjeçaren të varur në stallën e bagëtive

SHKODËR – Vetvaret në stallën e bagëtive, një 21-vjeçare. Ndërsa motivi është gjithsesi i turbullt, por hetimet e para flasin për një akt vetëflijimi, të kryer në kushtet e ndonjë depresioni të momentit, të nxitur nga ndarja nga ish-i fejuari pak kohë më parë, dhe nga telenovelat që vajza shikonte çdo ditë.

Ngjarja

Burimet nga drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës, bëjnë të ditur se pasditen e djeshme rreth orës 15.30, është gjetur e varur shtetësja 21-vjeçare Yllka Enver Jahja nga fshati Barbullush i rrethit të Shkodrës. Vajza e re, është gjetur e varur në stallën e lopëve, pranë shtëpisë së saj.

Të njëjtat burimet nga policia, shprehen se deri tani, nuk ka asnjë të dhënë për mundësinë e varjes së saj nga persona të tjerë.

Familja

Pak pas mesditës së djeshme, familjarët e Yllkës janë tmerruar, kur kanë gjetur vjazën e tyre të varur dhe pa jetë në stallën e bagëtive. Burime policore nga vendi i ngjarjes, kanë thënë dje për gazetën “Metropol”, se vetflijimi është kryer me një litar të zakonshëm sintetik me të cilin tërhiqen makinat në raste avarish. Megjithë ndihmën që janë mundur t’i japin vajzës së tyre të re, çdo gjë ka qenë e kotë, pasi ajo kishte ndërruar jetë pa lënë asnjë mesazh, apo shenjë nga e cila të afërmit të kuptonin arsyen e veprimit ekstrem.

Policia

Burimet policore kanë thënë dje për “Metropol” se, ngjarja e djeshme është një rast klasik vetëvrasje në kushtet e depresionit të momentit. Gjithsesi, grupi i hetimit dhe organi i akuzës, do të vazhdojnë të merren me zbardhjen e motivit të ngjarjes së ndodhur dje. Që nga fillimi i këtij viti, për rrethin e Shkodrës, ky rast i pazakontë vdekje me vetëvrasjeje është i katërti i regjistruar për këtë vit.

Hetimi

Sipas burimeve zyrtare të policisë së qytetit të Shkodrës, mësohet se 21-vjeçarja Yllka Jahja, ishte e papunë, dhe se çdo ditë ajo e kalonte duke u marrë me punët e zakonshme, të një familje të vendosur në fshat. Pak kohë më parë, po sipas të njëjtave burime, mësohet se ajo kishte marrë një goditje nga fati, duke u ndarë nga i fejuari i saj. Ngjarja në fjalë, mendohet se e ka lënë të prekur vajzën, e cila së fundmi e mbushte jetën duke parë dhe telenovelat e njëpasnjëshme në kanalet e ndryshme televizive.

Sipas burimeve zyrtare të policisë dhe sipas asaj ç’ka kanë deklaruar të afërmit, së fundmi vajza nuk kishte shfaqur shenja depresioni dhe veprimi i saj i ndërmarrë gjatë ditës së djeshme, i ka lënë të shokuar të afërmit. Në trupin e vajzës nuk është gjetur asnjë shenjë dhune, ç’ka mund të çonte në dyshimin se vetëvarja nuk ka qenë e vullnetshme.

Precedenti/ 15 shkurt 2005

Shikonte telenovelën “E padjallëzuara”,

15-vjeçarja vetëplagoset me çiften e babait

KORÇË – “Jam penduar për atë që kam bërë”. Kështu u shpre 15- vjeçarja Enkelejda Dajko, nga fshati Bregas, i rrethit të Korçës, pas tentativës për të vrarë veten.

“Isha duke parë telenovelën “E padjallëzuara”, dhe menjëherë pas mbarimit të saj shkova në dhomën time, duke marrë me vete edhe çiften e babait. Vendosa për t’i dhënë fund jetës sime të mjerë”, vazhdon Enkelejda.

Në momentin e ngjarjes, mësohet se adoleshentja ka qenë së bashku më motrën e saj 12-vjeçare, e cila, sipas familjarëve, është e vetmja që di pse-në e këtij veprimi.

Enkelejda është nxënëse e klasës së VIII në Bregas dhe me rezultate shumë të mira, shprehen familjarët.

Grupi i mjekëve dhe anestezistëve, që e operuan të dëmtuarën, kanë bërë të pamundurën për ta sjellë atë në jetë, pasi, kur ajo ka mbërritur në spital, ka qenë në gjendje koma.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›