Dy të dyshuarit shpallen në kërkim
DURRËS - Policia e Durrësit ka arrestuar autorët e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në Xhafzotaj të Durrësit, kur një punonjës i Ujësjellësit u godit me thikë. Policia thotë se autorët e plagosjes janë Fisnik Shehi, Sherif Shehi dhe Rami Velija, nga qyteti i Dibrës, të cilët janë shpallur vënë në pranga. Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë, pak pasi punonjësi i Ujësjellësit, Besnik Avdyli, po priste lidhjet ilegale të ujit që kishin bërë banorët e zonës. Avdyli gjithashtu po mblidhte dhe faturat e prapambetura të ujit. Banorët, të irrituar, kanë sulmuar me gurë punonjësin e Ujësjellësit. Në ndihmë të tij janë hedhur nipi i Avdylit, M. Avdyli dhe bashkëfshatari I. Tareci, të cilët janë sulmuar dhe këta të fundit nga banorët. Konflikti mes banorëve dhe punonjësve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve nisi në orën 18:30, kur dy nga punonjësit shkuan për të parë rezultatin e aksionit të përfunduar një javë më parë me prerje masive të ujit për konsumatorët që nuk kishin paguar faturat. Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve kishte marrë informacion operativ se tubacionet e prera 8 ditë më parë ishin instaluar sërish. Teksa ndodheshin në zonën e banuar janë shtuar tensionet, pasi janë përballur me dhjetëra persona. Fillimisht u qëllua me gur në kokë Besnik Abdyli, i cili ka humbur ndjenjat për disa minuta. Në këtë moment, në mbrojtje të Abdylit kanë dalë dy nipat e tij, të cilët u ndodhën rastësisht në vendin e ngjarjes. Të rreshtuar përkrah punonjësve të Ujësjellësit, edhe këta dy shtetas, M. Abdyli 31 vjeç dhe I. Tareci, 26 vjeç, kanë rënë pre e dhunës duke u qëlluar shumë herë me thika në bark. Mjekët pohojnë se më rëndë paraqitet gjendja shëndetësore e 31-vjeçarit M. Abdyli, pasi tehu i thikës i ka prekur mëlçinë. Ai gjendet i shtruar në reanimacion.
31 Maj 2010