E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë mjekët e familjes, kërkohen 50% më shumë specialistë



Jonida Tashi
Banorët e qyteteve të mëdha të vendit, sidomos të kryeqytetit, po përballen me mungesën e mjekëve të familjes, çka po i detyron ata të presin me orë të tëra në radhë nëpër dyert e poliklinikave. Por kjo është vetëm gjysma e së keqes që ata po hasin për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore, pasi nga ana tjetër, mungesa e mjekëve të familjes po i pengon ata të futen në qendër të sistemit të referimit, që pikënisjen e ka pikërisht nga mjeku i familjes, për të kaluar më tej në hallkat e institucioneve të tjera shëndetësore.
Mjekët
Numri i mjekëve të familjes në kryeqytet, por edhe në disa qytete të mëdha të vendit, është disa herë më i vogël sesa nevojitet. Autoritetet shëndetësore pohojnë se vetëm në Tiranë kërkohen 50% më shumë mjekë familjeje sesa janë aktualisht, pasi numri i popullsisë vitet e fundit është rritur ndjeshëm. Drejtori i Shëndetit Publik, Gazmend Bejtja, sqaron se kërkohet hapje e qendrave të reja shëndetësore në lagjet e reja të krijuara në Tiranë, për të arritur standardet e kërkuara. “Për Tiranën mund të ketë 50 për qind më shumë mjekë familje sesa tani”, - u shpreh Bejtja. Drejtori i Shëndetit Publik ka sqaruar se aktualisht nuk ka hapësira të lira për të ndërtuar qendra shëndetësore, ndaj është e vështirë që të ulet numri i lartë i pacientëve në qendra shëndetësore, por edhe në spital.
Qytetet
Banorët e qyteteve të mëdha si Tirana e Durrësi po e vuajnë më tepër mungesën e mjekëve të familjes, kryesisht në zonat e reja të banimit. Në këto zona, për shkak të infrastrukturës së ndërtimeve të reja nuk janë lënë hapësirat e nevojshme për hapjen e qendrave shëndetësore dhe për këtë arsye mjekët që nevojiten nuk mund të punësohen as në qendrat ekzistuese shëndetësore, pasi nuk ka ambiente të reja. Për këtë, Gazmend Bejtja shpjegon se shumë kërkesa i janë dërguar pushtetit vendor, por hapja e qendrave të reja shëndetësore, në lagjet e reja, duhet të bëhet përmes planifikimit urban nga ana e bashkive. “Lëvizjet demografike kanë rritur nevojën e mjekëve të familjes. Qendrat aktuale shëndetësore vuajnë nga fluksi i pacientëve, ndaj kërkohet ndërtimi i qendrave të reja shëndetësore. Por i takon pushtetit vendor, që përmes planifikimit urban, të krijojnë hartën sanitare në të cilën duhet të përfshihen trojet për godinat e reja të qendrave shëndetësore”, - deklaroi drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë. Çdo vit nga Fakulteti i Mjekësisë në kryeqytet diplomohen rreth 200 mjekë familjeje, degë e re, e cila është hapur që nga viti 1997. Por, sipas burimeve nga Ministria e Shëndetësisë, ata hasin vështirësi për t’u punësuar pasi nuk ka hapësira të reja.

31 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›