E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pengmarrje në dyqanin e celularëve, vetëdorëzohet i riu



Artan CENA
TIRANË - Ka përfunduar pa të lënduar pengmarrja e ndodhur mesditën e djeshme në një dyqan celularësh, por hetimet kanë marrë një rrjedhë tjetër disa orë pas ngjarjes. Elton Sutermani, 28 vjeç, ka hyrë në ambientet e brendshme të dyqanit dhe, siç mësohet, ka kërcënuar shitësen e tij me një armë që pas verifikimeve ka rezultuar të ishte lodër. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës kanë dhënë detaje dje në lidhje me ngjarjen e rëndë. Sipas tyre, autori i ngjarjes dhe vajza që punonte si shitëse ishin të dy nga Shkodra dhe njiheshin prej kohësh. Gjatë marrjes në pyetje, 28-vjeçari ka deklaruar se nuk kishte asnjë qëllim për të grabitur dyqanin, por donte të trembte shitësen. Policia tha se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, por pa specifikuar arsyen e ngjarjes. Kanë qenë forcat RENEA që kanë ndërhyrë dhe kanë negociuar me të dyshuarin, duke i mbushur mendjen që ai të vetëdorëzohet. Të shumtë kanë qenë dhe dëshmitarët e kësaj ngjarjeje që kanë njoftuar policinë për atë që po ndodhte në dyqanin e celularëve.
Ngjarja
Ishte Policia e Tiranës që zbardhi detaje të tjera rreth pengmarrjes që tronditi kryeqytetin rreth orës 11:30 të paradites së djeshme. I riu nga Shkodra, që fillimisht u dyshua se kishte hyrë në një dyqan celularësh në zonën e Trenit për të grabitur, duke marrë peng edhe shitësen, ka pasur njohje të hershme me të. Pas marrjes në pyetje të punonjëses së dyqanit, policia zbuloi se pengmarrësi dhe shitësja ishin të dy me origjinë nga Shkodra. Policia sqaron se autori nuk ka pasur interes të kryente vjedhje në dyqan, por vetëm të kërcënonte shitësen. Vetë vajza ka mohuar të ketë njohje me të. Një tjetër detaj që policia zbardh për mediat është se autori ka kërcënuar shitësen me një armë lodër dhe se ky i fundit vuante edhe nga turbullimet psikike. Gjithçka ndodhi në kryqëzimin e bulevardit “Zogu i Parë” me Unazën, përballë Stacionit të Trenit, në kryeqytet. Elton Sutermani, nga Shkodra, ka hyrë i armatosur në dyqanin e celularëve ku punonte e njohura e tij, duke e mbajtur peng për disa minuta. Dëshmitarët kanë rrëfyer momentet dramatike të kësaj ngjarjeje që ngjalli panik te shumë banorë të zonës dhe te kalimtarët. Pas disa minutash, 28-vjeçari e ka liruar shitësen, ndërsa janë dashur minuta të tëra negociatash mes tij dhe policisë për t’u dorëzuar. Një numër i madh forcash RENEA janë angazhuar në këtë aksion për kapjen e të riut nga Shkodra. Forcat RENEA kanë negociuar për disa minuta me pengmarrësin dhe autorin e kësaj tentative grabitjeje, derisa kanë dalë prej dyqanit me të arrestuarin. Aksioni është drejtuar nga numri një i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. E gjithë ngjarja fatmirësisht ka përfunduar pa asnjë të lënduar, ndërsa aksioni i policisë është përshëndetur nga qytetarë të shumtë që në ato momente ndodheshin aty dhe panë gjithë ngjarjen që ndodhi në mes të Tiranës. Hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë, deri në zbardhjen e shkaqeve që e shtynë Elton Sutermanin të merrte peng të njohurën e tij nga Shkodra.
Dëshmitarët
Një dëshmitar okular, teksa përshkruante çfarë po ndodhte, tregoi se personi në dyqan ishte i armatosur dhe se dyshohej se po kërcënonte me armë personat që ndodheshin në dyqan. E gjithë ngjarja fatmirësisht ka përfunduar pa asnjë të lënduar brenda 20 minutash dhe në shenjë falënderimi policia ka marrë duartrokitjet e të gjithë qytetarëve që në ato momente ndodheshin aty dhe panë se si policia veproi për të neutralizuar grabitësin. Policia sqaroi në fund se i dyshuari është me probleme mendore.

31 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›