Hetim ish-drejtorit të Hipotekës për 500 mijë dollarë dëme
Artan CENA
TIRANË – Task-Forca ka nisur hetimet për Gazmend Zenelin, ish-drejtorin e zyrës së Hipotekës në Tiranë. Efektivët e Task-Forcës dyshojnë se Zeneli ka shpërdoruar detyrën gjatë kohës që ka qenë në krye të Hipotekës së kryeqytetit në vitin 2005. Burime thanë se ish-drejtori Zeneli ka shitur rreth 5 mijë metra katrorë, tokë shtetërore nën çmimin e vendosur nga qeveria. Për shkak të kësaj shitjeje me çmim të lirë vlerësohet paraprakisht se ish-drejtori i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej rreth 500 mijë dollarësh. Burimet nuk kanë konfirmuar se për çfarë trualli bëhet fjalë. Hetimet janë ende në vijim dhe po kryhen nga Drejtoria e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Prokurorinë e Tiranës.
Shitja
Burime nga policia kanë bërë të ditur se ish-drejtori i Hipotekës është marrë në hetim nga Prokuroria e Tiranës për shitjen e një trualli. Gazmend Zeneli dyshohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm të madh financiar. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në vitin 2005, kur i dyshuari ka shitur një truall, godinë ekzistuese, në pronësi të shtetit. Hetimet në ngarkim të Zenelit janë duke u kryer nga Njësia e Task-Forcës. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, hetimet nisën pas verifikimeve që janë kryer nga hipoteka, e cila ka konstatuar edhe abuzimin që është kryer. Pas regjistrimit të dosjes në Prokurorinë e Tiranës ka nisur verifikimet e saj. Burime nga Akuza kanë bërë me dije se Gramoz Zeneli, gjatë kohës që ka qenë në krye të Hipotekës në kryeqytet, ka shitur një truall prej 6 mijë metrash katrorë. Toka dyshohet se ndodhet në afërsi të Unazës së Re, pranë Qytetit të Nxënësve. Nga hetimet disamujore të kryera nga Prokuroria e Tiranës ka rezultuar se Zeneli ka vendosur që ta shesë pronën shtetërore me një vlerë më të ulët sesa ishte në realitet. Burimet kanë shpjeguar se në kohën që Hipoteka drejtohej prej tij, duhet të përcaktonte vetë shumën me të cilën do të shitej prona, kjo duke bërë edhe vlerësime të tregut. Por, sipas hetimeve ka rezultuar se me firmën e Zenelit prona është shitur më lirë sesa duhej. Për shkak të kësaj shitjeje me çmim të lirë vlerësohet paraprakisht se ish-drejtori i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej rreth 500 mijë dollarësh.
Hetimet
Pas disa muaj hetimesh Prokuroria i ka komunikuar Gramoz Zenelit akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Mësohet se ai do të hetohet në gjendje të lirë deri në një urdhër të dytë të Akuzës. Prokuroria e Tiranës po kryen verifikime në lidhje me ndonjë abuzim tjetër të Zenelit. Në ditët në vazhdim pritet që ai të merret në pyetje nga organi i akuzës ku edhe do të japë shpjegimet e tij në lidhje me hetimin, si dhe versionin e shitjes së truallit. Burimet kanë bërë me dije se oficerët e Policisë Gjyqësore do të sekuestrojnë të gjitha materialet përkatëse në ambientet e zyrës së Hipotekës, të cilat do të kalojnë në verifikimin një e nga një. Rasti i abuzimit me tokat janë të përsëritura në vitet e fundit në kryeqytet. Rreth dy vjet më parë abuzimet me tokat u konstatuan edhe në zonën e Kasharit, ku u arrestuan ish-drejtues të komunës Kashar, si dhe banorë, të cilët u dënuan edhe me vendim nga Gjykata e Tiranës.
Sekuestrohen 100 kilogramë marijuanë
Drogë për në Tiranë, kapet lazaratasi dhe ish-punonjësi i Gardës
GJIROKASTËR - Tre persona janë vënë në pranga nga policia gjatë një operacioni antidrogë, mes tyre një student. Burime nga Policia e Gjirokastrës thanë dje se arrestimet janë bërë gjatë operacionit antidrogë të koduar “Shëtitësit e natës”, ku janë sekuestruar rreth 100 kilogramë marijuanë. Në pranga janë vënë: një person nga Lazarati, një shtetas nga Tepelena dhe një student i Universitetit të Gjirokastrës. Të arrestuarit janë Agim Avduli, Marglen Çomani dhe Fatjon Çomani. Ata akuzohen për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”, në bashkëpunim. Operacioni është organizuar rreth orës 23:30 të dy ditëve më parë, kur policia kishte marrë informacion për fillimin e lëvizjes nga fshati Lazarat në drejtim të Tiranës të të dyshuarve. Është mbajtur nën kontroll rruga kryesore dhe ato dytësore që të çonin në drejtim të Tepelenës. Në këtë kohë është bërë identifikimi i automjetit të tij “Mercedes Benz” me targë TP 31 30 B, që drejtohej nga shtetasi Agim Avduli, i cili po bënte kontrollin e rrugës për të shmangur shërbimet e dukshme policore. Më pas, në një distancë rreth 700 metrash larg këtij automjeti, u konstatua edhe automjeti tjetër tip “Benz Mercedes”, i bardhë, me traga italiane AD 806 FL, ku nga informacionet e grumbulluara më parë ky automjet po bënte transportin e lëndës narkotike. Policia ka ndaluar dy automjetet tip “Benz” që drejtoheshin, njëri nga Agim Avduli, 39 vjeç, nga Lazarati dhe tjetri nga Marglen Çomani, 24 vjeç, i cili prezantohej si punonjës i Gardës së Republikës. Po në këtë automjet ishte edhe Fatjon Çomani, 19 vjeç, student në Universitetin “Eqrem Çabej”, në vitin e parë, dega Infermieri. Nga kontrolli që iu bë automjetit me traga të huaja AD 806 FL, që drejtohej nga Marglen Çomani, është zbuluar se në sediljen e pasme të këtij automjeti kishte një pako të madhe të mbështjellë me letër natriban, ku brenda saj kishte lëndë narkotike. Kontrolli ka vijuar më tej ku në bagazhin e këtij automjeti kishte edhe 5 pako të tjera të mëdha, si dhe një çantë të madhe shpine, të cilat ishin të mbushura me lëndë narkotike e dyshuar si marijuanë. Gjatë aksionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia e lëndës narkotike, dy automjetet dhe 10 aparate celularë me kartat sim që i përdornin shtetasit e lartpërmendur. Dosja me materiale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
U godit nga një shkëmb
Adoleshentja humb jetën gjatë ekskursionit në mal
ERSEKË - Një 15-vjeçare nga Erseka ka humbur jetën gjatë një ekskursioni në malin e Gramozit. Adoleshentja Fiorela Note, e cila ka marrë pjesë në ekskursionin e zhvilluar nga fondacioni fetar “Aleluja”. Ajo është rrëzua duke humbur jetën. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes. Burime zyrtare nga Policia e Korçës kanë bërë të ditur se “në Malin e Gramozit, dhe pikërisht te vendi i quajtur Ujëvara e Dytë, janë ngjitur për ekskursion një grup të rinjsh e të rejash nga qyteti i Ersekës, pjesëtarë të Kishës Ungjillore”. Rreth orës 17:00 të mbrëmjes është njoftuar se 15-vjeçarja Fiorela Note, banuese në Ersekë, e cila ishte me këta të rinj e të reja, ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra nga goditja e një pjese shkëmbi të shkëputur gjatë rrugës për në kthim. Ajo ishte bërë gati që të bënte një foto shoqërisë kur i ka rrëshqitur këmba. Fatkeqësisht ajo është goditur nga një shkëmb i malit, duke i sjellë vdekjen. Banorët kanë bërë të ditur se, vendi ku ndodhi ngjarja është rreth tre orë në këmbë larg qytetit. Për sjelljen e trupit të adoleshentes në shtëpinë e saj, është kërkuar ndihma e policisë, që me anë të një helikopteri kanë mundur të mbërrijnë në vendi e ngjarjes. Ata kanë marrë trupin e pajetë dhe e kanë sjellë në qytetin e Ersekës. Sipas policisë, gjatë hetimeve është arritur në përfundimin se, ngjarja e ndodhur është aksidentale, dhe dosja me materialet i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të tjera.
31 Maj 2010