E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet për gjakmarrje shoferi i autobusit



ELBASAN - Një 52-vjeçar është ekzekutuar me plumb në kokë për hakmarrje. Policia e Elbasanit ka mundur të zbardhë këtë krim dhe ka vënë në pranga tre të dyshuar. Gëzim Alikaj është gjetur i ekzekutuar në automjetin e tij në një shesh mes pallateve në lagjen “28 Nëntori” në Elbasan. Alikaj, me banim në lagjen “Dyli Haxhire”, ka ndërruar jetë në spital. Burimet zyrtare nga policia lokale thanë se nga kalimtarë të rastësishëm, rreth orës 20:30 të mbrëmjes së dy ditëve më parë, janë njoftuar se ka ndodhur një plagosje me armë zjarri nga persona të paidentifikuar. Me të marrë informacionin, në vendin e ngjarjes kanë shkuar efektivë të Policisë së Elbasanit, të cilët kanë shoqëruar me urgjencë për në spital të plagosurin. Sipas policisë, persona të paidentifikuar kishin qëlluar në kokë me armë zjarri pistoletë, brenda në automjetin e tij, Gëzim Alikajn, 52 vjeç, banues në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan. Ai është dërguar në Spitalin kirurgjik Elbasan, për të marrë ndihmën e parë mjekësore, por ai nuk ka mundur të jetojë. Menjëherë kanë nisur hetimet. Janë shoqëruar disa persona, të cilëve u janë marrë dëshmitë. Tre të dyshuar janë shpallur në kërkim. Brenda një harku kohor prej disa orësh, Policia e Elbasanit ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimi i tyre ambientet e Drejtorisë Policisë. Të arrestuarit janë: Ibrahim Caka, 31 vjeç, lindur dhe banues ne lagjen “5 Maji”; Elton Hyka, 30 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “5 Maji”; si dhe Ardit Spahiu, 28 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Partizani”, Elbasan. Ndaj tre të arrestuarve është marrë masa e arrestit si autorë të dyshuar për këtë ngjarje të kryer në bashkëpunim. Vrasja, sipas policisë, është kryer për motive gjakmarrjeje. Dosja me materialet për këtë ngjarje i ka kaluar për hetime të tjera Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprat penale të “vrasjes me paramendim, në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

31 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›