Përmbarimi: Bum gjobash për shkelësit e kufirit
SARANDE- Vjelja e gjobave në ngarkim të klandestinëve që tentojnë të kalojnë ilegalisht kufirin, zë numrin më të madh të veprimtarisë së Zyrës së Përmbarimit në Sarandë. Kalimi i paligjshëm i kufirit dikur dënohej deri në disa muaj burg. Ndërsa sot, shkelësit e kufirit penalizohen vetëm me një gjobë. Burime nga Gjykata bënë të ditur se masa e gjobës që vendos Gjyqësori për personat që kapen nga policia kufitare por edhe për ata që deportohen nga Greqia si klandestinë, është 50 mijë lekë. Në mjaft raste, gjoba e vendosur nuk ankimohet në shkallët e tjera të Gjyqësorit, por as nuk paguhet nga të penalizuarit. Rrjedhimisht, sipas procedurave ligjore, ngarkohet Zyra e Përmbarimit që të vjelë detyrimet e shkelësve të kufirit. Numri gjithmonë e në rritje i aplikimit të këtyre masave administrative, në ngarkim të individëve që zgjedhin si rrugë për t’u larguar në Greqi mënyra ilegale, është shoqëruar me dërgimin e urdhër-ekzekutimeve, në Zyrën e Përmbarimit në Sarandë. Qani Shemaj, përgjegjës i Zyrës së Përmbarimit në Sarandë, u shpreh se “këto çështje zënë gati 80 për qind të numrit të përgjithshëm të urdhrave ekzekutivë për çështje të tjera”. Vetëm në tre muajt e fundit, në Zyrën e Përmbarimit në Sarandë, janë depozituar afro 200 urdhër-ekzekutime ndaj shkelësve të kufirit. Shumica e klandestinëve të kapur e, madje edhe të gjykuar e të gjobitur, janë nga zona e Shqipërisë së Mesme apo dhe nga rajone të tjera të largëta, çka ka bërë që drejtuesit e kësaj zyre të vihen përballë një situate të vështirë për vjeljen e gjobës. sh.d